14/07/2024

Gjatë fjalimit në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, presidenti i Ukrainës Zelensky përsëriti thirrjen e tij për aleatët perëndimorë të Ukrainës që të dërgojnë më shumë armë në Kiev përpara se Rusia të nisë sulme të reja. Përveç kërkesës së tij gjatë fjalimit të tij, ai vuri në dyshim edhe faktin nëse lideri i Federatës Ruse është gjallë.

“Unë nuk e kuptoj fare se me kë të flas dhe për çfarë. Nuk jam i sigurt se ai është presidenti i Rusisë në të vërtetë. Nuk e kuptoj fare nëse është gjallë dhe kush i merr vendimet”, tha ai.

Më pas ai nuk hezitoi të shtonte se “Unë se kuptoj si mund t’u premtohet një gjë liderëve evropianë dhe të nesërmen të nisë një pushtim në shkallë të gjerë të një vendi. Nuk e kuptoj aspak me kë kemi të bëjmë. Kur themi ‘paqe bisedime’, nuk e kuptoj fare me kë duhet t’i kemi këto bisedime”, vijon ai, duke iu referuar Putinit.

Reagimi i Kremlinit

Ka qenë i menjëhershëm dhe i prerë reagimi i Kremlinit në lidhje me dyshimet e presidentit ukrainas. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov i është përgjigjur Zelenskyt i cili u shpreh se nuk ishte i sigurt nëse presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ishte gjallë pas veprimeve kontradiktore të ndërmarra. Peskov tha se Putin është gjallë si e gjithë Rusia pavarësisht se Zelensky nuk e dëshiron diçka të tillë.“Presidenti rus Vladimir Putin është gjallë, ashtu si gjithë Rusia. Dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky duhet ta kuptojë këtë shpejt. Është e qartë se Rusia dhe Putini janë një problem i madh për Ukrainën e sotme dhe për Zelensky-n. Dhe është e qartë se nga një këndvështrim thjesht psikologjik, Zelensky do të preferonte që as Rusia dhe as Putini të mos ekzistonin, por ai e kupton se së pari, sa më shpejt Ukraina ta kuptojë se Rusia dhe Putini ekzistojnë dhe do të ekzistojnë, do të duhet të heqë dorë nga gjithçka ruse”, u tha Peskovi gazetarëve. Por kjo nuk është e gjitha.

Në përgjigje të teorisë së konspiracionit të Zelensky, sipas së cilës Putini mund të ketë vdekur, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov u shpreh se presidenti Putin ka rifilluar një traditë të ndërprerë nga vitin e kaluar për shkak të pandemisë, ai bëri një dush me akull me rastin e festës Epifanisë Ortodokse. Por kësaj radhe ndryshe nga e kaluara nuk ka foto apo video të banjës së presidentit në banjën klasike në formë kryqi në akull. Lideri rus hoqi dorë nga kjo traditë vetëm vitin e kaluar pasi mjekët e rekomanduan se në kushte të pandemisë Covid kjo traditë do të ishte me rrezik për të. Të njëjta rekomandime u thanë dhe në vitin 2021 por Putin nuk u vuri veshin dhe vazhdoi zhytjen e tij në këto banja tradicionale ku për pak kohe foto së bashku me videot e atij momenti u serviren në të gjithë botën . Një çështje tjetër që u prek nga Kremlini në deklaratën për media ishin dhe kërkesat e Rusisë për të përfunduar luftën. “Sa më shpejt Ukraina të pranojë kërkesat e Rusisë, përkatësisht pretendimet e Moskës për territorin ukrainas në lindje dhe jug të vendit, aq më shpejt mund të përfundojë lufta. Në një mënyrë ose në një tjetër Rusia do t’i arrijë qëllimet e saj”, tha zëdhënësi Peskov. Ndërsa më herët autoritetet ukrainase kanë deklaruar se Ukraina është zotuar të luftojë derisa Rusia të tërheqë të gjitha trupat e saj nga vendi.

Situata shëndetësore e Putinit

Hipoteza të ndryshme njëra pas tjetrës janë hedhur muajt e fundit në media të ndryshme në lidhjen me gjendjen shëndetësorë të liderit rus. Spekulimet janë pa fund, disa thonë se Putin po përjeton çrregullime mendore dhe megalomi për shkak të konsumimit të shumtë të substancave të ndryshme narkotike. Disa të tjerë vunë theksin tek dhimbjet e forta që ka ai në shpinë ta cilat janë bërë gjithnjë e më të forta kohët e fundit. Midis mijëra spekulimeve të tjera ekspertë të tjerë supozuan se kreu i Kremlinit mund të vuante nga sëmundja e Parkinsonit. Ndërsa një tjetër thashetheme është ai se Putin vuan nga kanceri në zorrë të trashë. Por të gjitha këto nuk janë asgjë më shumë se thjesht hipoteze dhe hamendësime te pabazuar ne fakte konkrete. Por duhet theksuar se e gjitha kjo ka ardhur pas shfaqjeve të tij në publik dhe veprimeve të tij të dyshimta si dridhja e shpeshtë e dorës si dhe humbje ekuilibri të çastit. Por diçka është e sigurte në një situatë të tillë kritike kjo çështje ka marrë një rëndësi strategjike.