Me këtë rast, kryeministri Kurti dhe ministrja Lahbib diskutuan rreth mundësive të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, tregtisë, mbrojtjes e kulturës, krahas atij politik.
Meqë jemi në prag të Presidencës belge të Këshillit të Bashkimit Evropian, u diskutua edhe për procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, përkatësisht të rrugëtimit të Republikës së Kosovës në atë drejtim.
Kosova ka dorëzuar aplikimin e saj për anëtarësim më 15 dhjetor të vitit të kaluar, dhe është në pritje që të marrë statusin e vendit kandidat.
Në takim u fol edhe për situatën e sigurisë në rajon dhe për raportet e Kosovës dhe Serbisë në dritën e sulmit terrorist dhe paramilitar në Banjskë të Zveçanit sot dy muaj më parë dhe takimin e 26 tetorit me liderët evropianë në Bruksel.
Kryeministri Kurti e njoftoi ministren belge Lahbib për angazhimin dhe qasjen konstruktive që Kosova ka pasur përgjatë procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe për qëndrimin e Kosovës në takimin e fundit në Bruksel në të njëjtën ditë kur po zhvillohej edhe Samiti i Këshillit Evropian.
Ai ritheksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për zbatim të plotë, të shpejtë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj, dhe se nënshkrimi i tyre është garanti i respektimit dhe zbatimit të tyre drejt një normalizimi të qëndrueshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, thuhet në komunikatë.

