20/04/2026

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ndryshe nga shumica e grupeve minoritare në vend, Serbia i kufizon serbët e Kosovës të kanë vetëm një parti politike, dhe sipas tij, kjo parti është nën kontrollin e Milan Radojçiq.

Kurti ka thënë se ky fakt ndikon në pavarësinë dhe lirinë e procesit politik të serbëve të Kosovës.

Po ashtu, ai ka përmendur se Radojçiq, personi që sipas tij kontrollon Listën Serbe, është kriminel i sanksionuar nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe, i cili ka luajtur rol udhëheqës në sulmet terroriste të kësaj jave në veri të Kosovës.

“Shumica e grupeve minoritare në Kosovë kanë shumë parti politike. Por Beogradi lejon grupin më të madh, serbët e Kosovës, të kenë vetëm një, të cilin e kontrollon. Zëvendëspresidenti i asaj partie, Milan Radojçiq– një kriminel i sanksionuar nga SHBA- BM, që luajti një rol udhëheqës në sulmet terroriste të kësaj jave”, ka shkruar Kurti, në platformën X.

Po ashtu, Kurti ka theksuar se shqetësimet e serbëve të Kosovës nuk janë të bazuara mirë nëse ata sipas tij, injorojnë pluralitetin politik dhe nevojën për përfaqësim të lirë nga kriminelët e sanksionuar nga perëndimi.

“Shqetësimet për të drejtat e serbëve të Kosovës nuk janë të bazuara mirë nëse ata injorojnë të drejtën për pluralitet politik dhe nevojën për përfaqësim të lirë nga kriminelët e sanksionuar nga perëndimi, të cilët janë përfshirë në vrasjen e policëve dhe terrorizimin e njerëzve që duhet të përfaqësojnë”, ka shkruar tutje Kurti.