Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian konfirmoi se Johan Floderus, diplomat suedez që punon për BE-në, është duke u mbajtur rob në Iran për më shumë se 500 ditë. Pas një takimi në qytetin spanjoll të Kadizit, Josep Borrell u tha gazetarëve se Brukseli po kërkon “pareshtur” që të lirohet 33-vjeçari. Të hënën, Suedia pjesërisht konfirmoi një raportim nga New York Times lidhur me ndalimin, duke njoftuar se një shtetas suedez, në të tridhjetat, është duke u mbajtur në Iran që nga prilli i vitit 2022. Por, Borrell shkoi më tej duke konfirmuar emrin e personit dhe duke treguar se ai punon për trupin diplomatik të BE-së. Ai tha se lirimi i Floderus është në agjendën e BE-së dhe të Qeverisë suedeze dhe “ne nuk do të ndalemi derisa ai të lirohet”. Në korrikun e vitit të kaluar, Irani njoftoi se kishte arrestuar një person nën dyshimet për spiunazh, dy javë pasi një shtetas iranian u dënua me burgim të përjetshëm në Suedi për rolin e tij në ekzekutimet masive të mijëra kundërshtarëve politikë të kryera nga regjimi iranian më 1988. /Alsat.mk
