Një javë pas darkës së përbashkët në Athinë të ftuar nga Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, këtë herë në kuadër të Forumit të Bledit për Siguri, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti zhvilloi një takim dy palësh me Kryeministrin e Bullgarisë, Nikolai Denkov.
Në takimin e parë dy palësh të tyre, kryeministri Kurti e falënderoi kryeministrin Denkov për mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë ndaj Kosovës që nga vitit 1999 e tutje, të gjitha fazat e shtetndërtimit, dhe përkrahjen në anëtarësimin e Kosovës nëpër organizata ndërkombëtare.
Me homologun e tij bullgar, kryeministri Kurti foli për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve dhe optimizimin e potencialit të bashkëpunimit sidomos në fushën e ekonomisë.
Në qershor të këtij viti Oda Ekonomike Kosovë-Bullgari themeloi selinë e saj në Sofje. Numri i investitorëve bullgarë në Kosovë është rreth 135 me fuqi investuese rreth 6 milionë euro të shtrirë në disa sektorë si ai i tregtisë dhe shërbimeve, turizmit, ndërtimtarisë, teknologjisë së informacionit dhe transportit.

