20/04/2026

Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkesën e Partisë Demokratike lidhur me Bordin e Karburanteve. Në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar nenin 21/10, pika 2, fjalia e dytë, të ligjit nr. 39/2022.

Në pikën 2 të nenit “Zbatimi i parashikimeve të këtij kreu fillon me shpalljen e situatës së veçantë me vendim të Këshillit të Ministrave. Përfundimi i situatës së veçantë dhe i zbatimit të parashikimeve të këtij kreu përcaktohet me vendim të Bordit.”

Këtë fjali Gjykata Kushtetuese e ka cilësuar si të papajtueshëm me Kushtetutën. Vendimi u mor me shumicë votash.

Gjykata Kushtetuese vendosi shfuqizimin e nenit 21/10, pika 2, fjalia e dytë, të ligjit nr. 39/2022 “Për miratimin e aktit normativ nr. 5, datë 12.03.2022 “Për disa shtesa në ligjin nr. 8450, datë 24.02.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar”, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese publikuar sot..

Ndërkohë PD kishte kërkuar shkrirjen e bordit miratuar me akt normativ të firmosur nga qeveria më 12 mars të vitit 2022 që solli dhe ngritjen e këtij grupi për caktimin e çmimit të karburanteve.

Bordi i Karburanteve u ngrit një muaj pas nisjes së luftës në Ukrainë, në mars të vitit 2022, periudhë që solli shtrenjtimin e çmimit të naftës. Në ngritjen e Bordit i Transparencës përbëhet nga 12 anëtarë, 7 prej të cilëve vijnë nga radhët e institucioneve shtetërore dhe 5 janë përfaqësues të shoqërive hidrokarbure.

Pas krijimit të Bordit dhe kontestimeve ndaj tij, 29 deputetë të grupit parlamentar të Partisë Demokratike depozituan padinë përmes të cilës kërkonin shfuqizimin e Bordit të Transparencës për çmimet e karburanteve.

“Gjykata Kushtetuese shqyrtoi në seancë plenare publike kërkesën e jo më pak se një të pestës të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, me objekt: “ Shfuqizimi i ligjit nr. 39/2022 “Për miratimin e aktit normativ nr. 5, datë 12.03.2022 “Për disa shtesa në ligjin nr. 8450, datë 24.02.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikën e Shqipërisë . Shfuqizimi i ligjit nr. 42/2022 “Për miratimin e aktit normativ nr. 8, datë 25.03.2022 “Për disa shtesa në ligjin nr. 8450, datë 24.02.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikën e Shqipërisë .

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, bazuar në nenet 131, pika 1, shkronja “c” dhe 134, pika 1, shkronja “c”, të Kushtetutës, si dhe nenin 49, pika 1, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash,

VENDOSI:

Pranimin pjesërisht të kërkesës.
Shfuqizimin e nenit 21/10, pika 2, fjalia e dytë, të ligjit nr. 39/2022 “Për miratimin e aktit normativ nr. 5, datë 12.03.2022 “Për disa shtesa në ligjin nr. 8450, datë 24.02.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar”, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftim.

/rtsh.al/