Arrijnë informatat e para rreth kohës së shërimit të Neymarit. Ylli brazilian pësoi lëndim të rëndë në ndeshjen mes Uruguait dhe Brazilit, e vlefshme për kualifikimet e Botërorit 2026.
Ekzaminimet treguan se ai kishte këputje të ligamentit të kryqëzuar dhe të mënikut, ndërsa sipas mediumit “Globoesporte”, ish-futbollisti i Santosit, Barcelonës dhe Paris Saint-Germainit do të operohet nesër në Belo Horizonte, përcjell “Gazeta Express”.
Zgjedhja është bërë me kërkesë të lojtarit, i cili dëshiron të operohet nga mjeku i përfaqësueses braziliane, Rodrigo Lasmar. Mungon vetëm leja e Al-Hilal, i cili e mban kartonin e lojtarit dhe planet e klubit nga Arabia Saudite ishin që lojtari të operohej në Paris.
Lasmar e kishte operuar Neymarin në vitin 2018, duke e korrektuar një thyeje të dorës së djathtë dhe ka bërë pjesë në ekipin që e kishte operuar lojtarin në muajin mars pas një lëndimi të pësuar në ligamentet e nyjës së këmbës. Sipas mediumit brazilian, Neymar mund të mungojë 10 deri në 12 muaj.