11/10/2025

Kryetarët e komunave të Kosovës kanë “ngelur” në fushën e investimeve kapitale. 29 prej tyre nuk kanë arritur të përmbushin as 50 % të investimeve kapitale në gjysmën e parë të vitit 2023. Madje Ferit Idrizi i Vushtrrisë, Mehmet Ballazhi i Hani i Elezit e Dalibor Jevtiq i Shtërpcës janë kryetarët që shpenzuan veç 1 % të buxhetit për projekte kapitale.

Pasqyra e tillë nxirret nga të dhënat e publikuara në raportin e Thesarit të Shtetit, që operon brenda Ministrisë së Financave dhe Transfereve.

Përformancë më të mirë sa i përket realizimit të investimeve kapitale bazuar në origjininë e partive prej nga vijnë kanë treguar kryetarët e AAK-së, pastaj ata të LDK-së, Vetëvendosjes dhe krejt në fund ata të PDK-së.

Komunat e “VV-së”, mesatarja e investimeve kapitale 15.7 %

Komunat e drejtuara nga Vetëvendosje nuk është se kanë bërë diçka të madhe në fushën e investimeve kapitale.

Mesatarja e investimeve të tyre brenda periudhës janar – qershor 2023 është 15 %.

Fjala është për komunën e Shtimes (Qemajl Aliu) dhe Gjilanit (Alban Hyseni), të cilat kanë realizuar secila nga 21 % të investime kapitale, Podujeva (Shpejtim Bulliqi) 12 % dhe Kamenicë (Kadri Rahimaj) 9 sosh.

Komunat e “LDK-së”, mesatarja e investimeve kapitale 18 %

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) udhëheq gjithsej shtatë komuna.

Mesatarja e investimeve kapitale nga kryetarët e saj në Obiliq, Junik, Lipjan, Viti, Pejë, Istog, Fushe Kosovë dhe Prishtinë është 18 %.

Ndër të gjitha komunat e udhëhequra nga LDK-ja, Obliqi prin me 61 % të investime kapitale, pastaj Juniku 32 %, Lipjani 20, Prishtina 16 %, Vitia 15, Peja 10, Istogu 8 dhe Fushë Kosova më e dobëta, me veç 4 % të investime kapitale të realizuara.

Komunat e “PDK-së”, mesatarja e investimeve kapitale 15.6 %

Partia Demokratike udhëheq më më së shumti komuna në vend, gjithsej 9.

Mesatarja e investimeve kapitale nga kryetarët e saj është 15.6 %
Skenderaji dhe Ferizaji kanë realizuar nga 29 % të investime kapitale, Prizreni 28, Drenas 23 %, Kacaniku 15, Mitrovica 12 %, Dragashi 3 dhe Vushtrri e Hani i Elezit me nga 1 % të investimeve kapitale të kryera.

Komunat e “AAK-së”, mesatarja e investimeve kapitale 32.7 %

Mesatarja e komunave të udhëhequra nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është më e larta për investime kapitale, 32.7 %.

Prin komuna e Deçanit me 52 % të investime kapitale të realizuara, Rahoveci me 49, Gjakova me 22 % dhe Suhareka më e dobëta me 8 %.

Kryetari i Malishevës, kampion për investime kapitale

Kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati është kryetari kampion për investime kapitale në gjysmën e pare të vitit 2023.

Ai ka realizuar 79 % të investimeve kapitale.

Kastrati vjen nga Partia Nisma Socialdemokrate. Malisheva, njihet si bastion i kësaj partie.