17/07/2024

Gjykata e Lartë vendosi të premten të ruajë qasjen që gëzojnë gratë tek ilaçi që përdoret për abort, deri në përfundimin e një procesi gjyqësor mbi këtë çështje. Në këtë mënyrë, Gjykata vendosi pro kërkesave urgjente të administratës Biden dhe prodhuesit të ilaçit mifepriston, për të mos lejuar zbatimin e një vendimi të një gjykate më të ulët, që synonte ta ndalonte pilulën në të gjithë vendin.

Tashmë administrata Biden dhe ‘Danco Laboratories” me bazë në Nju Jork, e kanë apeluar vendimin e gjykatës së Teksasit, që nëse zbatohej do të hidhte poshtë një vendim të Administratës së Ushqimit dhe Barnave që lejonte përdorimin e mifepristonit.

Ilaçi është miratuar për përdorim në SHBA që nga viti 2000 dhe atë e kanë përdorur më shumë se 5 milionë gra. Mifepristoni përdoret i kombinuar me një ilaç të dytë, misoprostolin, në më shumë se gjysmën e të gjitha aborteve që kryen në SHBA.

Me këtë vendim gjasat janë që qasja tek mifepristoni të jetë e garantuar të paktën deri vitin e ardhshëm, ndërsa vazhdon beteja në gjykatën e apelit, përfshirë dhe shanset që çështja të shkojë edhe në Gjykatën e Lartë.

Antari i Gjykatës së Lartë Samuel Alito, autori i vendimit të vitit të kaluar për rrëzimin e ‘Roe kundër Wade’ që ofronte mbrotje në nivel federal për abortin, së bashku me anëtarin tjetër, Clarence Thomas, votuan pro hyrjes në fuqi të kufizimeve ndaj pilulës për abort. Asnjë gjykatës tjetër nuk ka komentuar mbi rastin.

Presidenti Joe Biden vlerësoi vendimin e Gjykatës së Lartë që ruan qasjen tek pilula ndërsa beteja gjyqësore vazhdon.

“Rreziqet nuk kanë qenë ndonjëherë më të larta për gratë në të gjithë Amerikën. Unë do të vazhdoj betejën ndaj sulmeve të motivuara politikisht ndaj shëndetit të grave. Populli amerikan duhet të vazhdojë të përdorë votën si zë të tij, e të zgjedhë një Kongres që do të miratojë një ligj që rivendos mbrojtjen që garantonte Roe kundër Wade”, tha Presidenti Biden nëpërmjet një deklarate.

Sfida ligjore kundër mifepristonit, ngritur nga kundërshtarët e abortit, është polemika e parë mbi abortin, që arrin në gjykatën më të lartë të vendit, që kur shumica e saj konservatore hodhi poshtë 10 muaj më parë, vendimin historik Roe kundër Wade, duke lejuar më shumë se 12 shtete ta ndalojnë abortin.

Në opinionin e shumicës qershorin e kaluar, gjykatësi Alito shkruante se një arsye për hedhjen poshtë të Row kundër Wade, ishte nxjerrja jashtë e gjykatave federale, nga beteja për abortin. “Është koha për t’i kushtuar vëmendje Kushtetutës dhe për t’ua kthyer çështjen e abortit përfaqësuesve të zgjedhur të popullit”, shkruante ai.

Por edhe pas kësaj fitoreje, kundërshtarët e abortit u rikthyen tek gjykatat federale me një objektiv të ri: kundërshtimin e ilaçeve për abort, të cilat përdoren në më shumë se gjysmën e rasteve të abortit në të gjithë vendin.

Me kalimin e viteve, Administrata e Ushqimit dhe Barnave i ka lehtësuar kushtet e përdorimit të mifepristonit, duke lejuar edhe dërgimit të tij me postë në shtetet që e lejojnë qasjen tek ai.

Kundërshtarët e abortit ngritën padi në Teksas në muajin nëntor, duke pohuar se vendimi origjinal i 23 viteve më parë i Administratës së Ushqimit dhe Barnave që lejonte përdorimin e mifepristonit si dhe ndryshimet pasuese, kishin të meta.

Më 7 prill ata e fituan çështjen e gjykuar nga një gjykatës i Teksasit, Matthew Kacsmaryk, i emëruar nga ish-Presidenti Donald Trump, i cili e anuloi vendimin e Administratës së Ushqimit dhe Barnave mbi mifepristonin. Gjykatësi i dha administratës Biden dhe kompanisë ‘Danco Laboratories’ një javë për ta apeluar çështjen, dhe gjatë kësaj jave vendimi i tij nuk do të hynte në fuqi.

Dy gjykata të tjera apeli, me gjykatës gjithashtu të emëruar nga zoti Trump, vendosën futjen në fuqi të vetëm disa pjesëve të vendimit të zotit Kacsmaryk, ndërsa beteja ligjore vazhdon, vendime që gjithashtu do të impononin kufizime në përdorimin e mifepristonit.

Në një vendim që ka krijuar edhe më shumë çorientim, një gjykatës federal në Uashington urdhëroi Administratën e Ushqimit dhe Barnave të ruajë qasjen e mifepristonit, sipas rregullave aktuale, në 17 shtete të udhëhequra nga demokratët prëfshirë kryeqytetin e vendin.

Administrata Biden ka thënë se vendimet bien ndesh me njëri-tjetrin dhe krijojnë një situatë problematike për Administratën e Ushqimit dhe Barnave.

Gjykatës së Lartë iu kërkua vetëm të bllokonte vendimet e gjykatave më të ulëta deri në përfundimin e çështjes ligjore. /VOA