Kërcënime me jetë për presidentin e Napolit

Napoli po përgatitet të festojë fitoren e kampionatit pas 33 vitesh ndërsa nga ana tjetër të përballet në ndeshjen e kthimit ccerekfinale të Champions ndaj Milanit. Të parën në “San Siro” e humbën 1-0.

E megjithëse ka shumë për tu gëzuar i gjithë mjedisi napolitan po jeton këto ditë një situatë surreale që është krijuar mes ultrasve dhe presidentit Aurelio De Laurentiis.
Numri një i Napolit ka përfunduar nën kërcënimet e grupimeve që zakonisht qëndrojnë në tribunat pas portave. Janë tifozët më radikalë. Një pjesë e tyre si shenjë proteste, në ndeshjet e luajtura në stadiumin Maradona, këngët mbështetëse ndaj skuadrës, i ka zëvendësuar me fyerje ndaj presidentit.

Autoritetet italiane kanë marrë të dhëna nga përgjime ambientale se një krah agresiv i tifozëve ka kërcënuar presidentin dhe për këtë arsye, prefektura e Napolit ka vendosur që De Laurentiis të shoqërohet me eskortë.

Tifozët janë irrituar me presidentin për shkak të rritjes së çmimit të biletave dhe masave të rrepta në përdorimin e banderolave. Por pavarësisht se ultrasit e kanë marrë dritën jeshilë për të rifutur në stadium daullet dhe flamuj të ndryshëm, kërcënimet e tyre janë ende në fuqi.

Tv Klan

Share post: