14/07/2024

Ligjet kontestuese për lehtësimin e procedurave për ndërtimin e Korridorit 8 kaluan filtrin e parë në Kuvend, gjegjësisht u votua nevoja për procedimin e tyre. Me këto ndryshime, realizuesi i projektit përfiton lehtësime dhe merr autoritet të vendosë mbi shumë procedura gjatë realizimit. Shumica arsyetohet se ky është projekt stretaegjik kurse Presidenti Stevo Pendarovski do të shqyrtojë dekretimin e tyre.
“Me këtë propozim ligj mundësohet që ndërtimet të cilat janë me interes strategjik të shtetit të kenë një realizim më në kohë dhe më efikas të projektit”, tha Arbër Ademi, koordinator i grupit parlamentar të BDI-së.

Për shkak se bëhet fjalë për projekt të rëndësishëm strategjik, ishte arsyetimi që u dha për propozim ndryshimet dhe plotësimet e tetë ligjeve me procedurë të shkurtuar me të cilat pushteti do të përshpejtojë realizimin e ndërtimit të Korridorit 8. Nevoja për miratimin e tyre u miratua me shumicë të deputetëve prezent. Nismat ngjallën reagime të shumta në opinion pasi me miratimin e tyre do të mundësohet anashkalimi i disa procedurave administrative gjatë realizimit. Me ndryshimet në ligjin për urbanizëm do të anashkalohet procedura e zakonshme e ndërtimit kurse me ndryshimin e ligjit për tokë bujqësore do të mundësohet kalimi i shpejtë i tokës bujqësore në ndërtimore. I njëjti fat i pret dhe tokat pyjore që i kap projekti. Shpronësimi është një çështje tjetër që preket nga propozim-ligjet dhe që prek të drejtën e pronarëve për të vendosur për pronat e tyre.

Në ndryshimet ligjore propozohet rritja e orarit të punës së punëtorëve ndërtimorë që do të jenë në terren, me qëllim që të mundësohet ata të punojnë më shumë se tetë orë në ditë. Me procedurë të shpejtë, propozohet të merren të gjitha lejet dhe dokumentet e nevojshme ndërtimore dhe që investitori strategjik në Maqedoni të lirohet nga pagesa e TVSH-së dhe akcizës për lëndë djegëse.

Presidenti Stevo Pendarovski tha se ndjek më vëmendje procedurat dhe se do të vendosë nëse do t’i dekretojë ato.

“Nuk mund ta dimë paraprakisht. Askush nuk mund ta di se në çfarë versioni përfundimtar do të jenë ato ligje sepse mund të ndryshohen me amendamente. Ta presim debatin dhe të kemi një përmbajtje finale të atyre ligjeve. Një ekip i juristëve në kabinet tashmë është i angazhuar që të ndjekë debatin dhe produktin final. E rëndësishme është për Presidentin në fund versionin final të ligjeve dhe vetëm nga kjo varet, a i prekin të drejtat e qytetarëve ose prekin në të drejtën e personave të tretë, e kështu me radhë, sigurisht se të paktën një pjesë e tyre nuk do të kalojnë”, deklaroi Stevo Pendarovski, President.