07/10/2024

Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga ka pritur sot ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në vend, Ekselencën e tij, Fatos Reka. Në fillim të takimit, ambasadori Reka i dorëzoi ministrit Lloga një telegram urimi nga Ministri i Drejtësisë i Republikës së Shqipërisë, për marrjen e detyrës si dhe interesimin e tij për një takim të shpejtë zyrtar mes dy ministrave.

Në takim u bisedua për bashkëpunimin e deritanishëm mes dy vendeve, intensifikimin e këtij bashkëpunimi si në kuadër të marëdhënieve bilaterale ashtu dhe në procesin e përbashkët euro-integrues. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po ndjekin rrugën e njejtë drejt BE-së dhe dy vendet i presin sfida të përbashkëta në këtë rrugëtim.

Ministri Lloga e njoftoi ambasadorin Reka edhe për konsultimet që ka realizuar me faktorë të ndryshëm lidhur me procesin e vetingut ku do të jetë e mirëseardhur edhe ndihma dhe përvoja e Shqipërisë ku ky proces ka filluar dhe po realizohet.

Ndryshimet kushtetuese poashtu ishin temë me interes në këtë takim, pasi nga ky proces varet drejtëpërdrejtë edhe hapja e bisedimeve me Bashkimin Evropian. Ministri Lloga njoftoi ambasadorin se për këtë temë ka dërguar ftesa tek të gjitha partitë politike që të delegojnë përfaqësuesit e tyre në grupin punues, ku do të marrin pjesë edhe ekspertë të pavarur.

Ministri Lloga dhe ambasadori Reka biseduan edhe për projektet e përbashkta, me theks të veçantë lidhjen infrastrukturore mes dy vendeve dhe me vendet e rajonit, siç janë Korridori 8, Rruga e Arbërit dhe tema të tjera me interes të përbashkët.