12/07/2024


Leo Messi nuk do të rikthehet në Barcelonë.

Ky është lajmi i dhënë në “Goles”.

Pra, Joan Laporta nuk ka nevojë të lodhet pasi ylli argjentinas tashmë ka vendosur për të ardhmen.

Numri 10 “Albieleste” është i vendosur të luajë edhe në Botërorin 2026, ku Argjentina do të mundohet ta mbrojë titullin e kampiones së botës.

Për këtë arsye, shtatë herë fituesi i Topit të Artë e ka ndërmend ta vazhdojë kontratën me Paris Saint-Germainin, të cilin do ta përdorë si udhërrëfyer para se të zbarkojë në Major League Soccer.

Në ligën profesionale amerikane të futbollit, Messi do të luajë për një kohë derisa të fillojë Botërori i ardhshëm, i cili do të mbahet pikërisht në këtë vend, krahas Meksikës dhe Kanadasë.

Klubet nga MLS-ja nuk e kanë fshehur asnjëherë dëshirën që ta kenë në gjirin e tyre një lojtar të kalibrit të Messit, i cili vitet e fundit të karrierës mund t’i kalojë pikërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Messi ka kontratë edhe pak muaj me PSG-në, por mund të luajë aty edhe në sezonin 2023/24 para se të zbarkojë në Amerikë, ku do të luante për dy vjet, deri në fillimin e Botërorit 2026.

Messi do të jetë 39 vjeç kur të mbahet Kupa e Botës dhe ai beson se deri në atë kohë do të jetë në formë dhe në gjendje ta ndihmojë Kombëtaren e Argjentinës, përcjell “Gazeta Express”.

Sidoqoftë, mediumi francez “L’Equipe”, raporton se tek PSG-ja nuk janë shumë optimistë për vazhdimin e kontratës së Messit, i cili besojnë se do të largohet, derisa dyshja Mbappe e Neymar do të qëndrojë në “Parkun e Princave”.

Në ditët e fundit po ashtu u shtuan zërat për një rikthim të mundshëm të Messit në Barcelonë gjatë verës që vjen.