14/07/2024

Ushtria ukrainase ka thënë se forcat e saj kanë zmbrapsur më shumë sulme ruse në Bahmut, teksa presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Kievi nuk mund ta përballojë humbjen e betejës në këtë qytet në rajonin e Donjeckut.

“Armiku vazhdon sulmet në qytetin e Bahmutit”, ka thënë Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase në raportin ditor.

“Megjithatë, mbrojtësit tanë janë duke e mbajtur me kurajë qytetin, duke zmbrapsur një mori të sulmeve të armikut”, ka thënë mes tjerash ushtria.

Bahmuti, bashkë me qytetet tjera Avdivka, Marinka dhe Liman, janë shënjestrat kryesore të Rusisë, sipas ushtrisë ukrainase.

Duke folur për rëndësinë e kontrollit të Bahmutit, Zelesky ka paralajmëruar se fitorja e Rusisë në atë qytet mund të përdoret nga presidenti rus, Vladimir Putin si kusht në ndonjë marrëveshje eventuale për paqe, çka nënkupton se Ukraina do të duhej të bënte kompromise të dhimbshme.

Putin “do t’ia shiste këtë fitore Perëndimit, popullit të tij, Kinës, Iranit”, ka thënë Zelensky në një intervistë për agjencinë e lajmeve, Associated Press.

Komandantët ushtarakë ukrainas kanë thënë se kundërofensiva e tyre mund të ndodhë shpejt, mirëpo ndërkohë dëshirojnë që ta ruajnë edhe kontrollin në Bahmut.

Më 28 Mars, Zelensky ka thënë se bota duhet të reagojë me më shumë urgjencë për ta ndaluar agresionin rus. Ai ka thënë se beson se “agresioni rus mund të përfundojë shumë më shpejt” sesa që disa kanë menduar.

Do të përfundojë më shpejt “nëse bota vepron më shpejt, nëse bota është më e vendosur”, ka deklaruar ai para popullit. Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 Shkurt 2022.

Presidenti rus, Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.