Sheshi “Iliria” në Tetovë vazhdon të mbetet pa ndonjë rikonstruim dhe investim. Video-ilustrimet parazgjedhore për sheshin e Tetovës të kryetarit aktual duken larg realitetit tetovar, ndërsa sot nuk ka ende diçka konkrete në terren. Kjo temë u rikthye nga kreu i Tetovës para disa ditësh ku tha se po punohet për këtë projekt. Nga Komuna e Tetovës bëjnë të ditur se i njëjti së shpejti do prezantohet para publikut, por pa dhënë detaje konkrete. Nga ana tjetër, Komuna ka shpallur thirrje për vendosje të pajisjeve urbane në shesh si zgjidhje afatshkurtër.
Nënkalime, parkingje nëntokësore, gjelbërim, drunj, rrugë për këmbësorë, pajisje urbane, kështu dukej projekti ideor për sheshin e Tetovës i prezantuar para publikut gjatë periudhës parazgjedhore me 15 tetor 2021 nga kryetari aktual, Bilall Kasami.
Por, pas gati një vit e gjysmë, sheshi i Tetovës mbetet i pandryshuar. Kjo u riaktualizua nga Kasami para disa ditësh në takimin me Bajram Vardar nga Turqia, nga ku Kasami njoftoi se në takim u shqyrtuan disa variante të projektit ideor dhe dizajnimit të pjesës qendrore të qytetit, me theks të veçantë të sheshit “Iliria”, si dhe gjetja e një modusi më të përshtatshëm për komunikacionin në atë pjesë të qytetit.
“Në momentin aktual, në Tetovë është duke u punuar në një projekt për rekonstruimin dhe redizajnimin e pjesës qendrore të qytetit, ku përfshihet edhe Sheshi Iliria. Qëllimi i këtij projekti është të paraqesë një koncept të ri të organizimit të hapësirave publike në pjesën qendrore të qytetit, duke përfshirë hapësirat përreth sheshit Iliria, bulevardin Ilinden dhe bulevardin Iliria, si dhe hapësirat publike përreth objekteve kryesore në qendër të qytetit, si hoteli Liraku, Qendra për Kulturë dhe lokalet e ndryshme përreth. Projekti gjithashtu synon të ofrojë një zgjidhje të re për komunikacionin në këtë pjesë të qytetit. Ekspertët po shqyrtojnë disa variante për këtë projekt dhe planifikohet që ky propozim të prezantohet publikisht në një kohë të afërt”