Korridori 8 cilësohet si projekti më i madh infrastrukturor që nga pavarësia e vendit, kështu u shpreh zëvendëskryeministi i parë, Artan Grubi nga tubimi qëndror i BDI-së i cili u mbajt mbrëmë në Çair.
“Korridori 8 nga përmasat e veta është projekti më i madh në historinë e këtij vendi dhe çfarë është marrëveshja e Ohrit për barazinë, Korridori 8 është për bashkimin. Asnjë projekt tjetër në 32 vitet e kaluara nuk është as sa çereku i këtij projekti që lidh Shkupin me Tiranën me autostradë. Të gjitha projektet e realizuara nga të gjitha partitë tona në 32 vitet e kaluara gjerë më sot nuk janë as 10% i shumës së këtij projekti bashkë me atë Shkup – Bllacë dhe rrugën e Arbërit”, tha Grubi.
Grubi shtoi se duhet të mbahemi mend si njerëz që i kemi qëndruar pranë një kryetari si Ali Ahmeti, i cilësuar si rilindasi i fundit i kombit.
“Të mbahemi mend që i kemi qëndruar pranë rilindasit të fundit të kombit Ali Ahmeti si Hamza Ademit, si Xheva Fehmiut, si Teuta Agronit, si Vrana Konti Skenderbeut, si Hasan Prishtina Ismail Qemalit. Çdo gjë tjetër nuk do na e fal fëmija, historia dhe shqiptaria. Për fund, në video në fillim doli tuneli, me dritë në fund të tunelit, në formën e shpresës për të ardhme të ndritur, por ma kujtoi edhe një leksion popullorë: Trenit përpara nuk i dilet”, përmbylli fjalimin e tij Grubi.