12/07/2024

Donald Trump pretendon se do të arrestohet të martën për akuzat që rrjedhin nga një hetim për një pagesë prej 130 mijë Dollarësh për yllin e filmave porno, Stormy Daniels në 2016-ën. Nëse ndodh kjo, do të jetë hera e parë që një ish-President i SHBA-së akuzohet për vepër penale. BBC ka ‘zbërthyer’ disa pyetje kyçe në lidhje me këtë rast.

PËR ÇFARË AKUZOHET TRUMP?

Në vitin 2016, aktorja e filmave për të rritur Stormy Daniels kontaktoi disa media për të folur në lidhje me një lidhje jashtëmartesore që ajo ka pasur me Trump në vitin 2006. Avokati i Trump, Michael Cohen, pagoi 130 mijë Dollarë që Daniels të qëndrojë e qetë. Kjo nuk është e paligjshme. Sidoqoftë, kur Trump rimbursoi avokatin, u regjistrua sikur pagesat të ishin për tarifa ligjore. Prokurorët thonë se kjo shumë tregon që Trump falsifikon të dhënat e biznesit, çka në New York konsiderohet si shkelje dhe vepër penale. Prokurorët mund të pretendojnë se kjo shkel edhe ligjin zgjedhor, pasi tentativa e tij për të bërë të heshtë Daniels u motivua sepse ai nuk donte që publiku të dinte marrëdhënien me aktoren. Mbulimi i një krimi duke falsifikuar të dhënat përbën vepër penale dhe është një akuzë më e rëndë. Avokatët e ndjekjes penale pranojnë se ky rast nuk është shumë i qartë. Edhe në të shkuarën ka pak precedentë ku politikanët që kalojnë linjën mes financimit të fushatave dhe shpenzimeve personale të jenë dënuar. Madje përgjithësisht tentativa të tilla kanë dështuar.
PËR ÇFARË MUND TË AKUZOHET?

Vendimi për të ngritur akuzë varet nga Prokurori i distriktit të New York-ut, Alvin Bragg. Ai ngriti një juri të madhe për të hetuar nëse kishte mjaftueshëm prova për të vijuar në ndjekje penale dhe ai është i vetmi që di nëse do të ketë arrestim. Javën e kaluar, avokatët e Trump thanë se ish-Presidentit iu ofrua mundësia të shfaqej para jurisë, çka konsiderohet si një shenjë se hetimi po mbaron. Këtë të hënë pritet të japin dëshmi Michael Cohen dhe ish-këshilltari ligjor, Robert Costello. Costello do të prezantohet nga ekipi mbrojtës i Trump në një përpjekje për të diskredituar dëshminë e Cohen.

ÇFARË NDODH NËSE TRUMP ARRESTOHET?

Nëse akuzohet, avokatët e Trump kanë treguar se arrestimi i ish-Presidentit do të ndiqej sipas procedurës standarde. Kjo do të thotë se ai duhet të udhëtojë nga rezidenca e tij në Florida për të dalë para gjykatës në New York dhe më pas do duhet të japë shenjat e gishtërinjve dhe procedurat e tjera. Megjithatë duke parë natyrën e një lëvizje të tillë, si dhe shqetësimet në lidhje me sigurinë mbetet e paqartë mënyra se si mund të arrestohet Trump. Sapo të kalojë dosja, vendoset një gjyqtar dhe do të dalin detajet e tjera, si për shembull koha e gjyqit, ndalimet për udhëtimet, apo edhe kërkesa për lirim me kusht.

A DO TË KETË PROTESTA?

Trump ka bërë thirrje masive për protesta nga mbështetësit e tij. “Nuk mund ta lejojmë më këtë. Ata po vrasin kombin ndërkohë që ne rrimë ulur dhe shohim”, tha ai. Megjithatë deri më tani ka pak prova nëse do të organizohet një protestë masive si ajo në sulmet e 6 Janarit.

A MUND TË KANDIDOJË PËR PRESIDENT?

Një akuzë e tillë ose edhe dënim nuk do ta ndalonte Trump që të vazhdojë të garojë për fushatën zgjedhore. Në ligjin e SHBA nuk ndalohet kandidimi për një kandidat për president i shpallur i fajshëm për një krim. Megjithatë, arrestimi i Trump do ta ndërlikonte fushatën e tij presidenciale.