Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka shprehur mbështetjen e tij për Kosovën në dialogun që po zhvillohet me Serbinë.
Përveç takimit që zhvilloi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, Ahmeti në rrjetin social Facebook shkruan se Kosova e pavarur është realitet dhe nuk mund të quhet ndryshe.
Statusi i plotë:
Qëndroj në mbështetje të fuqishme të Kosovës në momentet vendimtare në dialogun e saj me Serbinë dhe në të gjitha hapat e mëtejmë për rrumbullakësimin e plotë të shtetësisë së saj në të gjitha nivelet ndërkombëtare.
Këtë ia shpreha sot Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti në takimin që e patëm bashkë në Ohër.
Kosova e pavarur është realitet dhe drejtësi e ardhur në vendin e vet e konfirmuar edhe nga Europa dhe SHBA-të që nuk mund të kontestohet në asnjë mënyrë.
Inkurajova Kryeministrin Kurti për epilog pozitiv të dialogut mbi parimet e proklamuara të njohjes së ndërsjelltë nga ndërmjetësuesit e BE-së që kanë qëllimin e sinqertë të ruajtjes së stabilitetit dhe ardhmërinë europiane të mbarë Ballkanit Perëndimor.