23/02/2024

Në Amerikë nuk është lejuar falimenti i një tjetër banke, pasi aksionet e saj ranë me mbi 30% këtë të enjte, pas një efekti kaskadë që nisi nga falimenti i Silicon Valley.

Huadhënësi do të marrë 30 miliardë dollar në depozita nga banka tjetër në një përpjekje për të rikthyer besimin te sistemi banker.

Katër nga bankat më të mëdha të vendit – JPMorgan Chase, Bank of America, Citigroup dhe Wells Fargo ranë dakord të kontribuojnë me 5 miliardë dollarë secila.

Goldman Sachs dhe Morgan Stanley do të kontribuojnë me 2.5 miliardë dollarë secila dhe 5 miliardë do merren nga pesë banka të tjera.

Plani i shpëtimit për bankën First Republic me qendër në San Francisko është lëvizja më e fundit për të lehtësuar frikën e konsumatorëve dhe investitorëve se industria bankare është në mes të një krize në rritje pas njoftimit javën e kaluar se një bankë e fokusuar në kriptovaluta, Silvergate, po mbyllej.

Më herët, gjatë të enjtes, sekretarja e thesarit amerikan Janet Yellen tha përpara Senatit se sistemi mbetet financiarisht i shëndoshë.

Në anën tjetër të Atlantikut, Banka Qendrore Evropiane i qëndroi kursit duke rritur normat e interesit me gjysmë pikë përqindjeje, duke iu përmbajtur planit të hartuar nga politikëbërësit edhe pse një nga bankat më të mëdha evropiane po përballet me sfidat e veta.

Disa orë para vendimit, gjiganti bankar Credit Suisse mori një litar shpëtimi prej 54 miliardë dollarësh nga banka qendrore e Zvicrës.