14/07/2024

Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) ka lëshuar “urdhër arreste” për presidentin rus, Vladimir Putin dhe komisioneren presidenciale për të drejtat e fëmijëve, Maria Alekseyevna Lvova-Belova, transmeton Anadolu.

“Sot, 17 mars të vitit 2023, Dhoma Paragjyqësore II e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, lëshoi urdhër arresti për dy individë në kontekstin e situatës në Ukrainë, për z. Vladimir Vladimirovich Putin dhe znj. Maria Alekseyevna Lvova-Belova”, thuhet në njoftimin e ICC-së.

Sipas njoftimit, presidenti rus dyshohet se është “përgjegjës për krimin e luftës së dëbimit të paligjshëm të popullsisë (fëmijëve) dhe atë të transferimit të paligjshëm të popullsisë (fëmijëve) nga zonat e pushtuara të Ukrainës në Federatën Ruse”.ICC gjithashtu tha se “krimet dyshohet se janë kryer në territorin e pushtuar ukrainas të paktën nga 24 shkurti i vitit 2022”.

Gjykata tha se ka “baza të arsyeshme” për të besuar se Putin “mbart përgjegjësi penale individuale” për krimet e përmendura.

Më tej, thuhet se Lvova-Belena gjithashtu dyshohet se është përgjegjëse për “krimet e luftës së dëbimit të paligjshëm” të fëmijëve nga Ukraina në Rusi.

Dhoma Paragjyqësore II e ICC-së “konsideroi se ka arsye për të besuar se çdo i dyshuar është përgjegjës për krimet e luftës së dëbimit të paligjshëm të popullsisë dhe transferimit të paligjshëm të popullsisë nga zonat e pushtuara të Ukrainës në Federatën Ruse”.

Sipas njoftimit, dhoma gjithashtu “konsideroi se urdhër-arrestet janë sekrete për të mbrojtur viktimat dhe dëshmitarët dhe gjithashtu për të mbrojtur hetimin”.