17/07/2024

Polonia ka shkatërruar një rrjet spiunazhi që vepronte në vend, konfirmoi ministri i Mbrojtjes të enjten, pasi transmetuesi privat RMF FM raportoi se një grup spiunësh që punonin për Rusinë ishin arrestuar.

RMF raportoi të mërkurën se shërbimet polake të sigurisë kishin arrestuar gjashtë persona të dyshuar për spiunazh për Rusinë.

Sipas transmetuesit, grupi kishte planifikuar aktivitete sabotuese.“Dua të theksoj suksesin e madh të arritur nga oficerët e Agjencisë së Sigurisë së Brendshme, sepse i gjithë rrjeti i spiunazhit është çmontuar”, tha ministri Mariusz Blaszczak.

“Kjo është padyshim dëshmi se shërbimet polake punojnë për sigurinë e vendit tonë në një mënyrë shumë efikase”, shtoi ai.

Blaszczak nuk pranoi të komentojë më tej mbi rastin dhe tha se më shumë detaje do të njoftohen nga ministri i Brendshëm Mariusz Kaminski, në një konferencë për media.

Të mërkurën, presidenti polak Andrzej Duda u takua me drejtorin e CIA-s, William Burns. Zyra e presidentit tha në Twitter se ata diskutuan “situatën aktuale të sigurisë”.

Sipas raportit të RMF, gjashtë personat e arrestuar ishin nga qytete në lindje të Polonisë dhe punonin për inteligjencën ruse.

Spiunët kishin vendosur kamera të fshehura në rrugë të rëndësishme hekurudhore, kryesisht në një rajon jugor të vendit.

Sipas RMF, kamerat u gjetën pranë aeroportit Jasionka afër Rzeszov, i cili është bërë një pikë kyçe e transferimit të armëve dhe municioneve që dërgohen në Ukrainë.

Top Channel