25/01/2025

Një gjë tashmë është e qartë – industria e automobilizmit një ditë do të jetë tërësisht e elektrifikuar. Ka shumë variante, se kur, si dhe sa shpejt ky proces do të ndodhë. Të gjitha kompanitë ia kanë mësyrë kësaj rruge, por ka edhe të tillë që sinjalizojnë se një gjë e tillë s’do të ndodhë aq shpejt.

Të hënën është raportuar se Gjermania po mendon të formojë një aleancë për të mos e pranuar propozimin që nga viti 2035 të pezullohet shitja e veturave të reja me djegie. Ndërsa një raportim i ri ka nxjerrë në pah se gjiganti BMW po punon në gjeneratën e re të motorëve benzinë e me naftë, me katër, gjashtë dhe tetë cilindra, që do të jenë aktivë deri të paktën në dekadën e ardhshme. Motorët besohet se do të shfrytëzohen për veturat e mëdha të kompanisë.

“Handelsblatt” ka raportuar për lajmin, duke u bazuar në burime. Gazeta ka thënë se motorët po zhvillohen edhe si përgjigje për kërkesën e madhe ekzistuese për motorët dizelë.

BMW nuk i ka komentuar ende raportimet.