10/12/2024

Roja bregdetare italiane bëri operacione të shumta shpëtimi të premten për të shpëtuar qindra emigrantë që kishin mbushur disa varka përreth bregdetit italian, vetëm dy javë pasi të paktën 73 persona u mbytën pasi u përplas varka e tyre.

Në një deklaratë të rojes bregdetare thuhet se “mbi 1 mijë persona janë në rrezik”.

Presidenti i rajonit jugor Kalabria, Roberto Occhiuto, tha se gjithsej 1300 emigrantë ishin në këto varka, për të cilat agjencia kufitare Frontex e BE-së tha se mund të përballeshin me probleme.

Tre mjete të rojës bregdetare po përpiqeshin të merrnin rreth 500 emigrantë nga një varkë e ndodhur rreth 110 km në jug të qytetit kalabrez Crotone, pranë vendit ku ndodhi tragjedia e 26 shkurtit.

Roja bregdetare tha gjithashtu se pati dërguar mjete të tjera për të shpëtuar 800 emigrantë të gjendur në dy varka të tjera më thellë në det. Një anije e marinës italiane gjithashtu u dërgua me shpejtësi në zonë për të ndihmuar.

“Operacionet e shpëtimit janë në veçanti komplekse për shkak të numrit të madh të njerëzve në këto varka”, njoftoi roja bregdetare.

Në një tjetër incident të mëparshëm të premten, roja bregdetare mori rreth 500 emigrantë pranë ishullit jugor italian Lampedusa, njoftuan mediat lokale.

“Gjatë ditëve të fundit kemi parë një rritje të përpjekjeve për të kaluar Mesdheun Qendror”, u shpreh Frontex në një deklaratë.

“Vetëm nga dje, avionët dhe dronët tanë kanë pikasur 20 varka me qindra emigrantë që u ishin drejtuar brigjeve italiane. Kushtet e motit do të përkeqësohen në orët në vazhdim”.

Kapacitet e kërkim-shpëtimit në det të Italisë janë vënë në epiqendër të vëmendjes pas përplasjes së varkës më 26 shkurt pranë Kalabrisë. Kufoma e një djali të ri u gjend të premten, duke e rritur kështu numrin e viktimave në 73, ndërkohë që shumë emigrantë figurojnë të zhdukur.

Mjetet detare të policisë ishin përpjekur, por nuk arritën të kapnin varkën e tyre prej druri për shkak të motit të pafavorshëm dhe roja bregdetare, e pajisur më mirë për të përballuar detin e trazuar, nuk u aktivizua menjëherë.

Qeveria e djathtë e Kryeministres Giorgia Meloni u përgjigj të enjten me dënime më të ashpra me burg për kontrabandistët e emigrantëve dhe u zotua të ndalojë udhëtimet e tyre të paligjshme me varka, ndërsa hapi kanale të ligjshme për emigrimin.

Qeveria miratoi një dekret në fund të vitit të kaluar për të marrë masa kundër anijeve të shpëtimit të organizatave bamirëse, por qëllimi i saj i deklaruar për të frenuar kalimet e emigrantëve nuk ka patur sukses.

Më shumë se 3,000 persona kanë arritur në Itali që nga e mërkura, krahasuar me rreth 1,300 persona për të gjithë marsin e vitit të kaluar.

Rreth 1,869 emigrantë në 41 varka mbërritën vetëm në Lampedusa të enjten, tha agjencia e lajmeve ANSA, duke e quajtur këtë një rekord të të gjitha kohërave për zbarkimet në një ditë të vetme./VOA/