10/12/2024

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se Turqia ka solidaritetin e plotë të aleancës.

“Solidaritet të plotë me aleatin tonë Turqinë për pasojat e tërmetit të tmerrshëm. Jam në kontakt me presidentin Erdogan, ministrin e jashtëm Cavusoglu dhe aleatët e NATO-s po mobilizojnë mbështetjen për Turqinë tani”, tha ai në Twitter.

Diplomati i BE, Josep Borrell tha po ashtu se blloku është “gati për të ndihmuar”, pas tërmetit të së hënës.

“Tërmeti vdekjeprurës goditi Turqinë dhe Sirinë këtë mëngjes, duke i marrë jetën qindra personave e duke plagosur shumë të tjerë. Mendimet tona janë me njerëzit në Turqi e Siri. BE është gati të ndihmojë”, tha Borrell.

Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel shprehu ngushëllimet e tij të sinqerta për viktimat e kësaj fatkeqësie.

“Thellësisht i trishtuar me lajmin e mëngjesit të sotëm, për tërmetin vdekjeprurës që goditi Turqinë e Sirinë. Ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet e shumta që humbën njerëzit e tyre dhe shërim të shpejtë të plagosurve. BE qëndron në solidaritet të plotë me ju”.

Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen tha se Europa kishte nisur ndihmën e saj.

“Qëndrojmë në solidaritet të plotë me popullin e Turqisë dhe Sirisë, pas tërmetit vdekjeprurës që ra mëngjesin e sotëm. Jemi pranë familjeve të viktimave. Mbështetja e Europës është rrugës dhe qëndrojmë të gatshëm për të ndihmuar në çdo mënyrë të mundshme”.

Mesazhe ngushëllimi dhe mbështetje kanë ofruar mëngjesin e kësaj të hëne edhe liderë të tjerë botërorë, të cilët u zgjuan me lajmin e tërmetit vdekjeprurës me magnitudë 7.8 që goditi Turqinë dhe Sirinë.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis në një postim në Twitter tha se Greqia do të ofrojë ndihmën e saj e menjëhershme. “Thellësisht i trishtuar nga tërmeti shkatërrues në Turqi dhe Siri. Ngushëllimet tona më të ndjera shkojnë për familjet e viktimave dhe mendimet tona janë me njerëzit e prekur nga kjo tragjedi. Greqia po mobilizon burimet e saj dhe do të asistojë menjëherë”.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shprehu ngushëllimet tij për viktimat në Twitter dhe ofroi asistencë. “Jemi krah popullit turk në këtë kohë të vështirë. Jemi gati për të ofruar asistencën e nevojshme për të tejkaluar pasojat e kësaj fatkeqësie”, tha Zelenski.

Në Twitter, kryeministri indian Narendra Modi tha se ishte i “pikëlluar për jetët e humbura dhe dëmet në ndërtesa”. “India qëndron në solidaritet me popullin e Turqisë dhe është e gatshme për të ofruar të gjithë asistencën e mundshme për t’u përballur me këtë tragjedi”, tha ai.

Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif përcolli ngushëllimet e tij për të prekurit në Turqi e Siri, nëpërmjet një serie postimesh në Twitter.

Presidenti i Izraelit Isaac Herzog shkruajti: “Shteti i Izraelit është në gatishmëri për të ndihmuar në çdo mënyrë të mundshme. Zemra tona janë me familjet që humbën njerëzit e dashur dhe me popullin turk në këtë moment të dhimbshëm”.

Shtëpia e Bardhë, nëpërmjet këshilltarit për Sigurinë Kombëtare Jake Sullivan tha se Shtetet e Bashkuara ishin “thellësisht të shqetësuara” për shkatërrimin në Siri dhe Turqi. “Kam kontaktuar me zyrtarët në Turqi për t’i shprehur gatishmërinë tonë për të ofruar çdolloj asistence. Do të vijojmë të monitorojmë nga afër situatën në koordinim me Turqinë”, shkruajti Sullivan në Twitter.

Misioni diplomatik i SHBA në Turqi shprehur po ashtu pikëllimin për pasojat tragjike të tërmetit./tvklan.al