Kanceri në qafën e mitrës është një sëmundje serioze e cila në fillim nuk jep asnjë simptomë prandaj është e vështirë të zbulohet në fazën e hershme, simptomat zakonisht shfaqen pasi sëmundja është përhapur. Prandaj parandalimi i cili kërkon kontrolle të rregullta dhe ndjekje të rekomandimeve mbetet kyç, pasi vetëm me zbulimin e hershëm kjo sëmundje mund të trajtohet
Besa IBRAIMI
Shkup, 6 shkurt – Kanceri në qafën e mitrës renditet si kanceri i katërt i zakonshëm tek gratë dhe i shtati në përgjithësi, ndërsa statistikat e fundit flasin për më shumë se 604 mijë raste të reja me këtë sëmundje. Edhe pse vaksina për parandalimin e kësaj sëmundje ekziston që nga viti 2008, statistikat flasin për një numër të madh të rasteve të grave të infektuara ku vetëm në vitin 2020 në mbarë botën u diagnostifikuan 604 mijë raste të reja të grave të infektuara me këtë sëmundje, ndërsa vdiqën 342 mijë gra. Kjo sëmundje vjen si pasojë e infeksioneve të vazhdueshme me lloje të rrezikut të lartë të virusit papilloma human (HPV). Ekzistojnë vaksina që mbrojnë nga llojet me rrezik të lartë të HPV-së dhe, programe për skrining që në një fazë të hershme mund të zbulojnë shenjat e para të sëmundjes, duke i mundësuar trajtimin dhe menaxhimin efektiv të gjendjes. Kjo nënkupton se kanceri në qafën e mitrës duhet të jetë një nga llojet më të parandalueshme dhe të trajtueshme të kancerit.
Sipas statistikave të OBSH-së, numri i vdekshmërisë nga kanceri në qafën e mitrës është më i ulët në vendet e pasura, ndërsa më i lartë në vendet e mesme dhe të varfra. Kjo javë që është edhe java botërore për parandalimin e kësaj sëmundje po krijon një përpjekje të madhe të mjekëve për të rritur ndërgjegjësimin nga rreziku i kancerit në qafën e mitrës, dhe për të vepruar drejt asaj që rekomandon OBSH e që është vaksinimi kundër HPV.
Vaso Korunoski, gjinekolog specialist, thotë se e rëndësishme për këtë sëmundje është të parandalohet dhe jo të shërohet pasi trajtimi i saj është më i vështirë ngaqë në fazën e hershme ajo i fsheh simptomat. “Nuk ka asgjë më mirë se parandalimi pasi shumë më mirë është ta parandalosh sëmundjen se sa ta kurosh atë. Në këtë rast për kancerin e qafës së mitrës sigurisht parandalimi më i mirë është vaksinimi me HPV. Përgjegjës për 99% të rasteve me kancerin në qafën e mitrës është HPV-ja. Virusi HPV është gjithashtu infeksioni më i zakonshëm i traktit riprodhues tek të dy gjinitë. Ka më shumë se 150 lloje ndërsa dy prej tyre janë me rrezik më të lartë për ta paraqitur kancerin në qafën e mitrës. Mbi 70% e rasteve me kancer të qafës së mitrës dhe lezioneve prekanceroze janë si rezultat i HPV-16 dhe HPV-18. Por dhe llojet tjera nuk janë pa rrezik”, potencoi Korunoski.
Sipas tij, i vetmi mjet që siguron mbrojtje është vaksina, por që fatkeqësisht në vend ende ka një rezistencë ndaj vaksinimit. Si praktikë e vendosur është vaksinimi i vajzave në moshën 12-13 vjeçare, por që shumë të rrallë janë ata prindër që japin pëlqimin që fëmija të vaksinohet me këtë vaksinë. “Ashtu si gjithçka tjetër në mjekësi edhe vaksinat kundër HPV-së janë duke u përmirësuar. Në botë prej vitesh është e disponueshme vaksina nëntëvalente, ndërsa në vend ka arritur diku në gusht, pasi më parë jepej katërvalenti. Këto vaksina mbrojnë nga HPV gjatë tërë jetës, ndërsa mosha për të pranuar këtë vaksinë jo gjithmonë duhet të jetë 12-13 vjeç, mund të pranohet edhe nga më të moshuarit, por si moshë ideale të themi se është ajo. Në botë këtë vaksinë e pranojnë edhe meshkujt që realisht në këtë mënyrë kontribuojnë në përhapjen e këtij virusi madje edhe në zhdukjen e këtij virusi që siç thash është shkaktari kryesor për zhvillimin e kancerit në qafën e mitrës. Vaksina komerciale nëntëvalente kushton 9.000 denarë dhe jepet në tri doza, pas dozës së parë duhet të kalojnë dy muaj për të marrë dozën e dytë, ndërsa doza e tretë jepet 4 muaj pas dozës së dytë, në fakt 6 muaj pas dozës së parë që të mund organizmi të krijojë mbrojtje të plotë kundër HPV-së”, tha ai.
Kanceri në qafën e mitrës është një sëmundje serioze e cila në fillim nuk jep asnjë simptomë prandaj është e vështirë të zbulohet në fazën e hershme, simptomat zakonisht shfaqen pasi sëmundja është përhapur. Prandaj parandalimi i cili kërkon kontrolle të rregullta dhe ndjekje të rekomandimeve mbetet kyç, pasi vetëm me zbulimin e hershëm kjo sëmundje mund të trajtohet. Rreth kësaj çështje për media u shpreh edhe Aleksandra Grozadanova, koordinatore kombëtare për imunizim, e cila tha se vaksinimi është i njëjtë sikur kur jeni të sëmurë dhe pini gjithçka. “Kur jeni të sëmurë pranoni të pini gjithçka. Edhe terapinë më invazive, edhe rrezatimin më të madh për të cilat ne duhet të pranojmë se në vete kanë një rrezik të caktuar, rrezik absolutisht më të madh, por kur flasim për benefitet dhe rreziqet nga parandalimi gjithmonë në njëfarë mënyre fokusin e drejtojmë tek ajo se çfarë pasoja sjellin rreziqet eventuale nga vaksinimi. Duhet që ta ndryshojmë këtë mënyrë të të menduarit”, deklaroi Grozadanova, koordinatore kombëtare për imunizim. (koha.mk)