27/04/2025

Xhudistja jonë, Loriana Kuka është ndalur në luftën e dytë në Grand Slamin e xhudos që po mbahet në Paris të Francës.

Loriana e nisi ditën mirë, me një fitore në raundin e parë në kategorinë deri në 78 kilogramë. Pejania fitoi pa shumë vështirësi ndaj lituanezes Migle Dudenaite, të cilën e mposhti me ‘ippon’.

Megjithatë, Kuka u ndal në meçin e ardhshëm, atë të raundit të dytë. Xhudistja jonë u mposht me ‘waza-ari’ nga francezja Chloe Buttigieg.
Ndryshe, pas kësaj humbje, Kosova e mbyll pjesëmarrjen në Grand Slamin e Parisit, që njihet si gara më prestigjioze e xhudos.

Në këtë Grand Slam, Kosova mori një medalje të artë me anë të Distria Krasniqit e cila fitoi dje (e shtunë) në kategorinë deri 52 kilogramë.