08/02/2025

Kryetarja e Forumit të Gruas të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) – dega në Tearcë, Ajshe Selmani, në suaza të takimeve “Bashkë për Europë” të kryetarit të kësaj partie me qytetarë dhe bazën partiake tha se nënat janë dhurues të jetës, por edhe motivim për brezat e rinj.

“Zhvillimet politike në vend po marrin drejtimin e duhur. Jemi drejt rrugës për anëtarësim në BE. Natyrisht BE punon për një standard më të mirë për të gjithë, ndaj duhet plotësuar kriteret dhe të punojmë fort drejt realizimit të këtyre qëllimeve. Shtyllë e fortë në botën perëndimore janë edhe gratë, ndaj janë nënat dhe gjyshet tona të cilat me vetëmohim ndërtuan dhe rriten breza të tëra. Nënat janë dhurues të jetës, por edhe motivim për brezat e rinj, ndaj sot kemi një model të ngritur të gruas shqiptare që merr përsipër punë me përgjegjësi dhe po luftojnë paragjykime. Pas luftës së vitit 2001 u përforcua figura e gruas shqiptare dhe ishte pikërisht BDI dhe Ali Ahmeti që avancoi gratë shqiptare në vend, duke nisur nga deputetja e parë femër shqiptare në Kuvendin e Maqedonisë. Sot femra shqiptare po udhëheq me pozita shtetërore që dikur as në ëndërr nuk i kemi parë. Ndaj gratë tona duhet dhënë mesazhin e duhur, se dora që përkund djepin di të udhëheq edhe shtete. Prej gruas zë fill jeta dhe ndërtohet një shoqëri më të mirë, dhe kështu duke u bërë bashkë të gjithë fuqizojmë vlerat euro-atlantike”, tha Selmani në fjalën e saj.(Indeks.mk)