06/02/2025

Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti nëpërmes një statusi në rrjetet sociale ka kujtuar heronjtë, Zahir Pajaziti, Hakifi Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.

Në shkrimin e tij në rrjetet sociale, Ahmeti ka thënë se të tre heronjtë janë shembulli më i mirë se si duhet atdheu.

Statusi i plotë:

Të rritur që në vegjëli në frymën e atdhedashurisë nëpër odat e burrërisë, në zemrat e Zahirit, Hakifit dhe Edmondit do të ndizej flakadani i lirisë, drejtësisë dhe veprimit për çlirimin e vendlindjes nga kthetrat e okupimit.
Në guximin dhe vendosshmërinë e tyre ka fillet e saj Ushtria Çlirimtare e Kosovës, pushkët e tyre do të bëheshin kushtrim lirie që do të ngrinte në këmbë breza të tërë në shërbim të idealit kombëtar të lirisë.
26 vjet më parë ranë fizikisht, por veprimtaria e tyre është shkëndijë e pavdekshme trimërie në ndërgjegjen e kombit, është shembulli më i mirë se si duhet atdheu dhe mbi gjakun e tyre qëndrojnë sot themelet e shtetit të pavarur të Kosovës.
Lavdi e përjetshme heronjve të kombit, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.