14/07/2024

Pas ndihmës së dhënë nga Gjermania dhe SHBA , Moska ka rinisur sërish sulmet ndaj Kievit. Më shumë se 30 raketa janë lëshur në drejtim të Ukrainës, ku për pasojë një person ka humbur, ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Presidenti Volodymir Zelensky i ka bërë thirrje Perëndimit që të dërgojë sa më parë tanket si dhe ka kërkuar raketa me rreze të gjatë veprimi, e avionë luftarakë. Ofensiva ishte një vazhdim i taktikës një mujore të Rusisë për të shenjestruar infrastrukturën e Ukrainës. Stacionet e energjisë janë shkatërruar dhe miliona qytetarë janë pa energji elektrike.

Më herët Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njoftuar se do të dërgojnë 31 tanke të tipit “Abrams” në ndihmë të Ukrainës. Lajmin e ka dhënë vetë kreu i shtëpisë së bardhë, Xho Bajden. Ky është vendimi i dytë pas atij të marrë nga Gjermania për dërgimin e 14 tankeve “Leopard 2”, akt që është përshëndetur edhe nga presidenti amerikan.

Pas vendimit të Gjermanisë e Shteteve të Bashkuara për dërgimin e tankeve në Ukrainë, ka reaguar Moska zyrtare. Sipas zëdhënësit të Kremlinit, furnizimi me armë shihet si pjesëmarrje e drejtpërdrejtë në konflikt.