Shfaqja e një humoristi stand up mori një kthesë të papritur të hënën mbrëma në Madrid , pasi u sulmua ashpër nga një burrë teksa ishte në skenë.
Në videon që qarkullon në internet, muzikanti Alberto Pugilato , i njohur në Spanjë për pjesëmarrjen e tij në lëvizjet e ekstremit të djathtë, i vërsulet aktorit të humorit Jaime Caravaca dhe e godet me grusht në kokë.
Sipas New York Post , shkak i sulmit ishte një “shaka seksuale” që aktori i humorit kishte bërë më herët në rrjetet sociale , dhe më konkretisht nën një postim të Pugilato në “X” për djalin e tij tre muajsh.
Muzikanti ka reaguar menjëherë me inat. “Ju siguroj se do të kërkoni falje për atë që thatë për djalin tim 3 muajsh dhe do të zbuloni se jeta e vërtetë nuk është Twitter”, iu përgjigj ai aktorit në internet, përpara se të dilte në skenën ku performonte dhe ta bënte realitet kërcënimin e tij.
