19/04/2026

Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbër Ademi përmes një statusi në rrjetet sociale ka porositur oponentët se për integrim të vendit në BE, nuk duhet të angazhohen vetëm deklarativisht.

Sipas Ademit, detyra është e qartë dhe ajo është ndryshimi i Kushtetutës, raporton indeks.mk

Thekson se gati 50 për qind e legjislativit tonë është harmonizuar me atë të BE-së.

“Dëgjojmë politikanë, që angazhoheshin për ndryshime kushtetuese para zgjedhjeve, tani thonë t’i presim zgjedhjet në Bullgari, në Europë, tani në SHBA, pas asaj t’i presim zgjedhjet në Francë, ky cikël është “never ending”. Mendoj se qasje të sinqertë dhe jo vetëm deklarative kemi pasur nga Qeveria aktuale, sepse ende është aktuale. Kemi pasur propozim të dorëzuar për ndryshimet kushtetuese në Kuvend, u shter debati për nevojën për ndryshimet kushtetuese, por gjithsesi them do ta gënjejmë vetveten, qytetarët, fëmijët tanë, të rinjtë, nëse flasim për diçka tjetër dhe nuk flasim për detyrimin konkret prej të cilës varet hapja e klasterëve dhe kapitujve. Andaj, besoj që të gjithë që bartin mbi vete përgjegjësi institucionale nuk duhet të tolerojnë asnjë devijim të politikave nga integrimi i vendit në Bashkimin Europian”, ka shkruar Ademi.

Ndryshe, ai sot ka marrë pjesë në konferencën e organizuar për Ditën e Europës./indeks.mk/