Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në qytetin e Gostivarit, Valdet Xhaferi ka reaguar ndaj deklaratës së Arben Taravarit, i cili tha mbrëmë në Klan Macedonia se me VMRO-në sërish do ta fitojë komunën e Gostivarit, pasi sipas tij partia e Hristijan Mickoskit e ka ndihmuar atë me mbi 5 mijë vota.
Xhaferi shkruan se Taravari ka hequr dorë nga vota shqiptare dhe mbijetesën e tij në skenën politike e ka lidhur me VMRO-DPMNE-nenë e cila njihet për qëndrimet anti-shqiptare.
Reagimi i plotë:
Deklarata e Arben Taravarit se zgjedhjet lokale në Gostivar do ti fitojë sipas tij “ASH-ja”, por me ndihmën e VMRO-DPMNE-së, dëshmoi dy të vërteta.
E para, Taravari e pranoi se e ka humbur Gostivarin, dhe e dyta, se VLEN është patericë e VMRO-DPMNE.
Kryetari i Komunës së Gostivarit në politikë qëndron pikërisht me përkrahjen e VMRO-së, sepse, edhe në të kaluarën në dy raste ka fituar zgjedhjet në Gostivar po me votat e kësaj partie.
Taravari dështoi dy herë brenda dy javësh në Gostivar, edhe në zgjedhjet presidenciale edhe në ato parlamentare, duke marrë shuplakë për manovrat e tij politike, thuajse në secilin vendbanim të pastër etnik shqiptarë.
Me deklarimet e tij, por edhe mosmbajtja e premtimit se do të tërhiqej nga skena politike po që se do të humbiste qoftë edhe me një votë, e dëshmon më së miri se Kryetari i Komunës përfundimisht ka hequr dorë nga vota shqiptare dhe oksigjen politik për të mbijetuar në skenën politike ka “Vllazërim Bashkimin”.
Është mjerim politik madje edhe tradhëti kur nuk të voton populli yt dhe shpëtim për të marrë legjitimitet, kërkon te partia ultra nacionaliste dhe anti shqiptare.
Ky njeri për çdo ditë po e dëshmon që vazaliteti dhe nëpërkëmbja e legjitimitetit te shqiptarët, ka një emër, VMRO-ABI. /indeks.mk