16/04/2026

Përderisa dikur të gjitha kombëtaret i bënin llogaritë e tyre, me besimin e madh në arkëtimin e sa më shumë pikëve ndaj Shqipërisë, sot Kuq e Zinjtë kanë krejt tjetër fytyrë në futbollin ndërkombëtar.

Triumfi i shqiponjave në udhëtim ndaj Ukrainës, e vulosi edhe më shumë konfidencën dhe kualitetin që kombëtarja shqiptare e ka krijuar viteve të fundit.

Deri në datën e 7 shtatorit 2024, ukrainasit nuk e njihnin ndjenjën e humbjes nga shqiptarët, njofton Klankosova.tv.

Në katër përballje kualifikuese, Ukraina e kishte mposhtur tri herë Shqipërinë dhe vetëm një ndeshje ishte mbyllur pa fitues.

Njëkohësisht, ekipi shtetëror me Federatën e të cilëve udhëheq legjenda, Andriy Shevchenko, kishte regjistruar edhe dy triumfe në ndeshje miqësore.

Fitorja 2-1 e reprezentacionit kombëtar, pos vlerës së 3 pikëve në UEFA National League, tregoi karakter të fuqishëm për skuadrën e timonierit Sylvinho, pasi edhe përkundër që pranoi gol disavantazhi në pjesën e dytë, gjeti forcën për ta përmbysur rezultatin, duke insistuar pa rreshtur, siç zakonisht bëjnë emrat e mëdhenj të futbollit evropian.

Si e tillë, përfaqësuesja e Shqipërisë sonte zbret në “Air Albania” të Tiranës, për ta zhvilluar duelin e dytë, të vlefshëm për Ligën e Kombeve, ndaj një kombëtare që poashtu ka shënuar rritje niveli në vitet e fundit.

Për ballafaqimin ndaj Gjeorgjisë, asnjë karrige në stadiumin e Tiranës, nuk është e lirë. Tifozët shqiptarë janë të mobilizuar pafundësisht, për t’ua dhënë mbështetjen e madhe “gladiatorëve” të tyre, raporton Klankosova.tv

Në pesë sfidat e fundit me gjeorgjianët, Shqipëria nuk ka fitore. Triumfi i fundit ndaj tyre ka ndodhur para më shumë se 19 vjet, kur Kuq e Zinjtë fitonin 3-2.

Sot është krejtësisht ndryshe. Kombëtaret e mëdha kujdesen tej mase kur ndeshen me shqiptarët, kokë ulur nga përballjet e tilla, kanë ditur të dalin plot yje futbolli. Lewandowski pa gjurmë doli nga dy ndeshje me “shqiponjat”, kurse Kroacia e gjeneratës famoze, në Evropianin e fundit të Gjermanisë, s’mori më shumë se një brazim 2-2.

Shqipëria nuk është më si përpara, është shumë më e fortë.

Futbollistët shqiptarë janë protagonistë nëpër klube të mëdha të kontinentit, janë kampionë evropianë!

Shqipëri – Gjeorgji (20:45), transmetohet direkt në platformën gjigante, ART MOTION!