08/11/2025

Situatra me zjarrët në Maqedoninë e Veriut ka qenë për një kohë shqetësuese duke bërë kështu që përmes një postimi në profilin e tij në FB të reagoj ish ministri Krenar Lloga, shkruan Top24

Përhapja e zjarreve në të gjithë vendin është një fatkeqësi madhore për të gjithë ne. Është fakt se shteti dhe shoqëria nuk janë të përgatitur për këto sfida të natyrës, dhe kërkimi i përgjegjësisë institucionale në këtë kohë është një luks më vete. Asnjë qeveri, që nga pavarësimi i RMV-së, nuk ka bërë sa duhet në këtë drejtim, prandaj akuzat ndaj qeverisë së re janë thjesht politikë ditore.
Faleminderit të gjithë forcave të angazhuara shtetërore dhe vullnetare, të cilat prej disa javësh po luftojnë me zjarret në të gjithë vendin. Por si duhet t’i qasemi kësaj sfide në të ardhmen? Raportet nga Banka Botërore dhe agjencitë e tjera të specializuara na japin informacionin dhe ekspertizën e nevojshme për t’u përballur me këtë sfidë globale (ndryshimet klimatike), e cila për Maqedoninë tonë përkthehet në thatësira, zjarre dhe përmbytje.
Në vitet e ardhshme, qeveria duhet të marrë masa intensive dhe të investojë në mënyrë proaktive për t’u përballur me rreziqet natyrore, të cilat tashmë quhen shpesh “përshtatje klimatike”. Po ashtu, siç sugjeron raporti, bashkëpunimi rajonal dhe veprimi kolektiv mes shteteve të Ballkanit Perëndimor është i domosdoshëm.
Raporti i Grupit të Bankës Botërore për Klimën dhe Zhvillimin Rajonal të Vendeve të Ballkanit Perëndimor thekson se gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të investojnë kolektivisht të paktën 37 miliardë dollarë (rreth 34 miliardë euro) gjatë dekadës së ardhshme për të mbrojtur njerëzit dhe pronat nga ndikimi në rritje i ndryshimeve klimatike.