Artan Grubi dhe Arbër Ademi kanë reaguar ndaj kallëzimit penal që SPB-Ohër ka bërë ndaj ish-ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi
“Kërcënimet dhe përndjekja politike nga partitë qeverisë dhe institucionet monoetnike shtetërore janë vazhdimësi e strategjisë dhe përpjekjeve për ta shkatëruar përfaqësimin e fuqishëm dhe legjitim politik shqiptar dhe për ta zëvendësuar me puthadorë servil që aminojnë monoetnicitetin shtetëror në këmbim të lejës për të zhvilluar lojëra politike mahallash. Njëkohësisht ju shërben për të mbuluar 300 skandalet në 30 ditët e para që na kthyen 30 vjet mbrapa me paaftësinë dhe paditurinë masive për ta drejtuar shtetin”, shkruan Grubi.
“Përndjekje klasike politike! Por, ta dini, kjo NUK KALON!
Shpifjet, kërcënimet, shantazhet janë 0 për Kreshnikun dhe të gjithë ne. Turpin, skandalet dhe vazalitetin, shkeljen e vullnetit të votuesit shqiptar të shoqëruar me dështime të përditshme e të gërditshme nuk mund t’i mbuloni me përndjekje politike për gjoja ekzistimin e ndonjë vepre zgjedhore, ku humbja për ju ka qenë e madhe, shumë e madhe. Ta dini se do të na keni përballë, me guxim dhe këmbngulje në misionin tonë fisnik për të mbrojtur dinjitetit e votuesit shqiptar”, ka shkruar Ademi.
Ndryshe, në buletinin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili evidenton vepra penale më karakteristike dhe publikohet çdo ditë, për datën 25.07.2024, diku në pozitën e 20-të në dokument, thuhet se dyshohet një 39-vjeçar nga Kërçova për veprën penale të “pengimit të drejtësisë”, e kryer një ditë para zgjedhjeve parlamentare, raporton televizioni Telma.
Sipas këtij televizioni, pas inicialeve K.B. fshihet emri i një ministri në detyrë gjatë asaj periudhe.
Ministria e Brendshme nuk bëri me dije se për këtë vepër serioze të kryer ndaj një shefi policie po procedojnë një ish-funksionar të lartë, pra një ministër.
Tri ditë më vonë u zbulua se i dyshuari është ish-ministri Kreshnik Bekteshi.
Ish-ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, sipas policisë i ka dërguar mesazhe shefit të policisë nga Ohri, që kanë të bëjnë me aktivitetet policore pas dyshimeve të raportuara për parregullsi zgjedhore. Policia ka kontrolluar akuzat për keqpërdorim të të dhënave personale, pra për mbledhjen e të dhënave nga votuesit kurse kryeshefi i policisë ka marrë një mesazh nga ministri Bekteshi, shkruan Telma.
