Janë ndryshuar përqindjet e balancuesit, mjeti për punësim sipas nacionalitetit në institucionet shtetërore, njoftoi ministri i Administratës Publike Goran Minçev. Në gusht 2022, ministri i atëhershëm Admirim Aliti bëri një përllogaritje të re, duke numëruar diasporën nga regjistrimi i vitit 2021 dhe rriti përqindjen e punësimit të shqiptarëve në 29.54%.
Siç tha Minçev sot në një konferencë për media, deri më tani nuk është respektuar Ligji për të punësuarit në sektorin publik, sepse në llogaritje është përfshirë edhe numri i popullsisë jorezidente.
“Ndryshimet në përqindjet e mjetit balancues janë bërë ekskluzivisht në përputhje me Ligjin për të punësuarit në sektorin publik, i cili më parë nuk ishte respektuar. Kjo do të thotë se në përllogaritjen e balancuesit do të përfshihet vetëm numri i popullsisë rezidente si pjesë e planeve vjetore të punësimit në institucionet e sektorit publik dhe popullsia jorezidente përjashtohet nga përllogaritja e balancuesit.” tha Minçev.
Kështu, sipas përllogaritjeve të reja në planet vjetore të punësimit në institucionet e sektorit publik, korrigjohen përqindjet: maqedonas nga 54,21% në 58,44%, shqiptarë nga 29,52% në 24,30%, turq nga 3,98% në 3,86%, romë nga 2,34%. në 2,53%, serbët nga 1,18% në 1,30%, boshnjakët nga 0,87% në 0,87% dhe vllehët nga 0,44% në 0,47%.
Minçev tha se ministria e tij ka pranuar rreth 120 plane vjetore për punësim në institucionet e sektorit publik dhe vetëm pesë prej tyre kanë mendim pozitiv, ndërsa pjesa tjetër janë kthyer me vërejtje se institucionet duhet të veprojnë dhe t’i përputhen me përqindjet e reja.
