10/09/2024

Nominimin e Stoillkoviqit për zv.kryeministër dhe ministër për Marrëdhëniet mes Bashkësive, e komentoi edhe ambasadorja amerikane në vend, Anxhella Ageller. Në intervistë për “360 gradë” e pyetur se çfarë mendon për kandidaturën për ministër të këtij politikani me orientim pro rus, ambasadorja tha se deklaratat e tija janë tronditëse dhe për t’u dënuar. Ageller paralajmëroi se SHBA-të nga afër do ta ndjekin punën e tij.

“Megjithatë, nuk shoh skemë të veprimi. Ai duket se ka një varg të gjatë komentesh, deklaratash dhe postimesh shumë fatkeqe dhe fyese. Nuk më duket se ky person ka pasur post të autoritetit të vërtetë në procesin e sjelljes së vendimeve”, deklaroi Anxhella Ageller.

Përndryshe, paraprakisht, Koalicioni VLEN, më saktë partia Alternativa, e tërhoqi vendimin që Safije Sadiki-Shaini, të jetë zv.ministre në Ministrinë për marrëdhënie mes bashkësive. I pyetur për propozimin e kontestueshëm për ministër, mandatari Hristijan Mickoski para pak kohësh tha se është e rëndësishme që çdo ministër në Qeverinë e tij të ketë qëndrim pro-maqedonas.