08/09/2024

Është ide atraktive dhe e arsyeshme të zvogëlosh numrin e të punësuarve në administratë, nëse kjo nuk shndërrohet të heqish Huson e që të hyjë Haso, për të mos thënë, të mos hiqet Hasani e të futet Stojani…

Nga Daut DAUTI

E dini shemën parazgjedhore? Është si ai skeçi i Lecit me “menynë” se çka hanë në shtëpi, që ia ka kërkuar mësuesi djalit të tij. Dhe ai shkruan çkamos,edhe pse shumë nga ato gjëra, vetëm në ëndërr mund t’i kenë pare!
Kështu edhe Qeveri e re në ardhje e sipër, që vjen me një “meny” të gjatë premtimesh. Një nga këto, dhe nuk është diçka e re. Çdo parti kur ka qenë në opozitë e ka akuzuar pushtetin se bën punësime pa kriter(partiake, gjithsesi) dhe se sa të vijë vetë në pushtet, do të ulë numrin e punësimeve në administratë. Madje dhe s’do të ketë punësime partiake! Me këtë qëllim po vjen Qeveria e VMRO-DPMNE-së, e cila ka ndërmend të mbyllë më shumë se 130 institucione, si pjesë e reformës së premtuar të sektorit publik, me çka do të zvogëlojë numrin e të punësuarve për rreth 16.000. Se ky numër nuk është i vogël, për t’i mbyllur ashtu me një “klik”, është e vetëdijshme kryeministri i ardhshëm dhe partia e tij, ndaj dhe që të mos mbeten njerëzit e papunë, parasheh transferin e tyre në sektorin privat.
Kjo si ide dhe nuk është për t’u hedhur, nëse sektori privat do t’i pranonte. Jemi në një fazë të emigrimit masiv dhe duket se kompanitë gjithnjë e më tepër kanë nevojë për krahë pune, por a do të joshen me ndonjë beneficion për t’i marrë të punësuarit e administratës, kjo do të shihet nga mënyra se si do ta koncipojë qeveria e ardhshme. Sepse lehtë të kesh një qëllim e ta japim një premtim, e tjetër është ta zbatosh në praktikë.

Duke njohur partitë dhe ‘abstinencën” tetë vjeçare nga resurset e shtetit (shteti si lopë që e mjel kush të mbërrin!), premtimin vështirë se do të realizojë edhe kjo qeveri, sepse, sa të ulet, prapa dere mezi presin aktivistët partiakë të akomodohen në administratë!

Më shumë se dy dekada është kjo temë e hapur, madje dhe si rekomandim dhe kusht nga bashkësia ndërkombëtare dhe institucionet financiare që shpesh na japin kredi ose grante, duke na thënë se e kemi të stërngarkuar administratën dhe duhet ta zvogëlojmë. Asnjë qeveri nuk thotë jo, por të gjitha në një, në vend se të realizojnë premtimin për ta ulur numrin e të punësuarve në sektorin publik, ato e kanë rritur.

Tash meqë po dyshojmë se mund ta përmbushin këtë premtim, do të donim diçka tjetër të mos ndodhë. Të mos ndodhë që VMRO-DPMNE-ja të mos bëjë atë që mund ta bëjë: të mos e prishë strukturën etnike të të punësuarve në dëm të përfaqësimit të dejtë dhe adekuat. Këtë dyshim e kemi të bazuar, duke pasur parasysh deklarimin e kësaj partie për të hequr mekanizmin e balanserit, i cili përcakton këtë përfaqësim, sepse me këtë do të humbej kontrolli i përqindjeve. Kjo është njëra anë e medaljes. Tjetra është një mendësi e indoktrinuar nga disa qarqe mediale, intelektuale e politike maqedonase, që shqiptarë në Maqedoni nuk shohin më shumë 15 për qind, dhe sipas kësaj logjike, edhe nëse do të binte përqindja deri aty, do të ishte “përfaqësim i drejtë dhe adekuat”,edhe pse statistika e fundit tregoi gatisë 30 për qind të pjesëmarrjes së shqiptarëve në popullsinë e përgjithshme dhe 25 për qind në atë rezidente! Këtë gjë do të duhej energjikisht ta pengojë koalicioni shqiptar që do të përfaqësohet në qeveri, sipas të gjitha gjasave VLEN. Sepse po lëshoi pe këtu, nuk ka bërë asgjë me hyrjen në pushtet.

Është vërtet ide atraktive dhe e arsyeshme të zvogëlosh numrin e të punësuarve në administratë, nëse kjo nuk shndërrohet në stilin e barcoletës boshnjake “të zbresë nga kali Huso, që të hipë Haso!”, për të mos thënë, të hiqet Hasani e të futet Stojani…

Më në fund, një veprim i duhur nga Shqipëria, anise në plan lokal. Atë që e kishte menduar dikur ish-presidenti Bamir Topi, për t’i “shqipëruar” disa toponime me origjinë të huaj, që në gjithë vendin edhe nuk janë pak, po e bën Bashkia e Skraparit prej nga e ka origjinën presidenti i parafundit, Ilir Meta.
Siç ka shkruar me këtë rast autori Nelson R. Çabej, “nisma e kohëve të fundit e Bashkisë së Skraparit për shqipërimin e disa emrave të huaj të fshatrave është shprehje frymëzuese e një qëndrimi atdhetar që duhet përshëndetur.”

Dhe vërtet është për ta përshëndetur, sepse nuk mund të kuptohet se si është e mundur, mbas njëqind e dhjetë vitesh pushtet shqiptar në tokat shqiptare, ende kanë mbijetuar toponimet e huaja, të cilat kanë mbetur pas pushtimeve të huaja.

Këtë e thotë edhe autori i sipërcituar, sipas të cilit vrojtimi i përgjithshëm rreth pranisë së shumë fshatrave me emra me prejardhje latine, greke ose turke, e sidomos sllave, është rrjedhim i thuajse 21 shekujve të sundimit dhe pranisë së administratave pushtuese.

Nelson R.Çabej thotë se kjo punë nuk është një aksion politik, por një kërkesë e momentit historik. Ajo duhet bërë mbi parime të shëndosha, historike, gjuhësore e kulturore dhe kërkon njohuri te thella të historisë dhe gjuhësisë, dhe duhet bërë nga kolektiva specialistësh, të shkollave të larta dhe të institucioneve të specializuara të Akademisë së Shkencave.

Është interesant që autori sjell disa shembuj sipas të cilave mund të shihet se pushtuesit e huaj janë bazuar në ndonjë toponim vendor të cilin e kanë përkthyer, ose që në popull i njëjti ka mbijetuar në të folmen e banorëve lokalë. Kështu, linguisti rus Aleksander Selishçev thotë se emri i psuhimores së njohur Velipojë, është përkthim nga Fushëgjana, që në Shkodër është përdorur gjer në shekullin XIX. Ose toponimi Starovë, në Pogradec është quajtur Prapamal.

Shembuj të tillë autori na sjell edhe disa, që katërçipërisht tregojnë se shumë nga këto toponime jotipike për trojet shqiptare, është gjetur një administratë pushtuese që i ka pagëzuar me gjuhën e vet. Dhe së këndejmi, askush nuk mund t’ia mohojë “sunduesit” aktual që të mos e bëjë të njëjtën. Prandaj, në fillim e përmenda Bamir Topin si një lloj paradoksi i cili duke qenë në majën e pushtetit, jep ide e propozime sikur ato duhet t’i bëjnë marsianët, e jo ai vetë si pushtet.

Shyqyr që dikujt i është tekur, si Bashkisë së Skraparit, që të bëjë diçka e që dikush mund ta ndjekë shembullin e tyre.

(Autori është kolumnist i gazetës KOHA)