Kryetari i Komunës së Studeniçanit, Azem Sadiki, në një intervistë për Indeks.mk, ka njoftuar se shumë shpejt do të fillojë ndërtimi i rrugës 5, një projekt i madh që pritet të sjellë ndryshime pozitive në këtë komunë.
300×250
Sipas Sadikit, rruga do të jetë rreth 5.5 metra e gjerë, do të përfshijë shtegje për këmbësorë dhe ndriçim publik, duke u ndërtuar sipas standardeve më të larta të cilësisë.
Përveç rrugës 5, do të ndërtohet edhe një mur mbrojtës pranë lumit në Studeniçan për të siguruar mbrojtjen e qytetarëve gjatë lëvizjes dhe për të zgjeruar rrugën dhe shtegun për këmbësorët. Ministria e Transportit ka planifikuar gjithashtu ndërtimin e rrugës së fshatit Moranë, e cila do të lidhet me rrugën regjionale.
“Shumë shpejt do të fillojmë me punë, ndërtimin e rrugës 5 që është përfolur shumë. Besoj se është çështje ditësh se kur do të fillohet të punohet, me këtë do të sillet një projekt të themi shumë i madh për fashtin Studeniçan. Rruga do të ndërtohet me të gjitha standardet, me shumë kualitet, do të ketë rrugë dikund 5.5 metra e gjera, nga të dyja anët do të ketë shteg për këmbësorë, do të ketë ndriçim publik e kshtu me rradhë. Pjesa ku kalon rrugës afër lumit në Studeniçan, aty do të ndërtohet një murë mbrojtës, edhe do të bëhet zgjerimi i rrugës si dhe shteg për këmbësorët, por edhe do të bëhet siguria e qytetarëve gjatë lëvizjes, do të ketë mbrojtje rruge nga ana e përroit.
Si projekt i rëndësishëm po ashtu nga Ministria e Transportit do të ngeli që të ndërtohet rruga e fshatit Moranë që lidhet me rrugën regjionale”, tha Sadiki.
Në fshatin Batincë, komuna ka një projekt të gatshëm për ndërtimin e rreth dy kilometrave të rrugës lokale me asfaltim dhe shteg për këmbësorët. Ky projekt kapital përfshin gjithashtu ndërtimin e një ure mbi lumin e Markut, e cila do të lidhet me rrugën regjionale, duke lehtësuar kështu lëvizjen e banorëve të zonës dhe duke përmirësuar infrastrukturën lokale.
“Dhe për komunën neve na ngel që dhe në fshatin Batincë kemi projektin e gatshëm, dmthnë pjesën e epërme të fshatit, do të ndërtohen afërsisht dy kilometra rrugë lokale asfaltim, po ashtu me shteg të këmbësorëve. Po ashtu duam që të ndërtojmë urë në lumin e Markut që kalon aty, dhe e njejta rrugë të lidhet dhe me rrugën regjionale. Ky është një projekt kapital jo vetëm për Batincën por edhe për neve si komunë pasi që pjesa më e madhe e familjarëve që jetojnë në atë pjesë të Batincës do të mund që të lidhen me rrugë regjionale, dhe do të lehtësohet shumë edhe rruga lokale që kalon mes fshatit, por edhe për ata si qytetarë”, tha Sadiki.