Nxënësit e shkollave të mesme janë liruar nga mësimi dhe u është thënë që të shkohet në koncertin e VLEN-it!
Këtë e bën të ditur nëpërmjet një statusi në facebook Drejtori i Qendrës së Skijimit “Kodra e Diellit”, Adem Avziu, i cili ka shprehur pakënaqësi të thellë ndaj vendimit të Sektorit të Arsimit pranë Komunës së Tetovës për të liruar nxënësit e shkollave të mesme nga mësimi për të marrë pjesë në koncertin e mbajtur nga opozita shqiptare.
Ky veprim vjen pas një ngjarjeje që ndodhi dje, ku VLEN lansoi projektin e ri për stadiumin e Tetovës, por që nuk arriti të tërheqë një numër të madh të qytetarëve, pavarësisht pranisë së grupit të njohur Elita 5 dhe këngëtares Aida Doçi.
Reagimi i z. Avziu u bë i njohur përmes një deklarate të fortë ku ai thekson: “Edhe kjo na paska ndodhë! Me urdhëresë të Sektorit të arsimit pranë Komunës së Tetovës, të gjithë nxënësit e shkollave të mesme janë liruar nga mësimi (prej orës së 4-të) dhe të njejtëve u është rekomanduar që të shkojnë në Stadium (në Koncert)!”
Duke iu referuar kësaj situate, z. Avziu shprehet se vendimet e tilla nuk duhet të merren lehtësisht dhe se arsimi i të rinjve nuk duhet të ndikohet nga aktivitetet politike apo ngjarje të tjera që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me procesin mësimor.