Ishte shumë interesant titulli i shkrimit të një analisti: “vendim i dëmshëm, në dobi të Kosovës!”, i sjellë nga Albin Kurti e i kritikuar nga ata që dikur e kishin bërë pjesë të marrëveshjeve kthimin e 24 hektarëve Manastirit të Deçanit!
Nga Daut DAUTI
Gjithkund nëpër shtetet me bazë fetare dhe ato sekulare, ka prona të bashkësive fetare. Ndonjëherë shteti ka ditur të bëjë obstruksione, por të shpeshtën ka ditur të tërhiqet. Psh., në Maqedoni janë të njohura kontestet midis kishës zyrtare dhe asaj përçarëse rreth pronave në Maqedoni. Nga ky rast kanë krijuar edhe problem në botën kishtare për shkak se kisha-mëmë(ajo serbe), ka përkrahur “përçarësin” Jovan Vranishkovski dhe “kishën” e tij, kundrejt Kishës (zyrtare) Ortodokse Maqedonase. Prej këtu dhe rrjedhe problemi i mosnjohjes së saj nga KOS-i, i cili ka një histori paksa të komplikuar për ta sqaruar në këtë shkrim. Duhej të kalonin vite që me një mirëkuptim të ndërsjellë të tejkalohet para dy-tri vitesh, me rikthim te rrënjët (Kisha Ortodose Maqedonase-Arqipeshkiva e Ohrit) dhe të vijë deri te ribashkimi, si dhe te tejkalimi edhe i çështjeve pronësore, që edhe nuk është aspekti më i parëndësishëm. Pronat e një kishe, pavarësisht se si i ka fituar ato, zor se mund t’i dijë kush dhe ato ishin pjesë dominuese e rastit në fjalë.
Njësoj kontestime ka pasur midis shtetit dhe Bashkësisë Fetare Islame, për prona vakëfi aty-këtu. Është e tepërt të kontestohet nga shteti se prej nga janë siguruar ato prona, a janë si rezultat i ndonjë monopoli nga shtetit(falje pronash) apo nga vetkontributi i besimtarëve me shekuj.
Kësisoj mund të qëndrojë situata edhe me pretendimin e Manastirit të Deçanit për këto 24 hektarë që “ia dhuroi” Albin Kurti. Asgjë e veçantë, sikur të mos bëhej fjalë për Albin Kurtin dhe qëndrime e tij “të prera” kundër disa gjërave, si kjo. Tash e kritikojnë opozitarët që s’kanë punë tjetër me gjithçka që bën Аlbini kur bën dhe gjithçka që ai nuk bën, kur nuk bën. Këtu ka një hipokrizi të dyanshme. Sepse, opozita kritikon Albinin kur ai realizon pjesë të marrëveshjeve të nënshkruara në kohën kur ka qenë vetë në pushtet, siç është kjo për këto 24 hektarët që janë edhe pjesë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, kurse nga Albini hipokrizia ka të bëjë me të kaluarën e tij, kur votuesve të tij u jepte shpresë se kur të vijë në pushtet, asgjë “të dëmshme” nuk do të realizojë! Ndaj dhe më erdhi shumë interesant titulli i shkrimit të një analisti: “vendim i dëmshëm, në dobi të Kosovës!”!
E keni dëgjuar atë shprehjen “mos u bën anglez”? Shqip nuk tingëllon si ajo serbokroatisht “ne pravi se englez”, ama po e marrim sikur ka kuptimin njësoj edhe shqip. Sepse, edhe shqiptaria fitoi diçka angleze, Oborrin Mbretëror. Shqipëria nuk është mbretëri, ama ka oborr mbretëror. Ka dhe trashëgimtar froni. Por ajo që e bën “ingliz” situatën, nuk është se me këtë “oborr” Shqipëria na u bë mbretëri, por me faktin se ky oborr tash së fundmi, me pamjet skandaloze të dhunës në relacionin e ish-çiftit mbretër, u përngjan skandaleve të kohëpaskohshme të trashëgimtarëve britanikë të kurorës.
Por skandali në oborrin mbretëror të trashëgimtarëve të Ahmet Zogut, nuk është vetvetiu skandal për dhunën e çiftit të ndarë, por është më tepër se kaq. Sepse, video incizimi nuk është se është realizuar nga ndonjë paparaco që ndjek këmba këmbës çiftin mbretëror që e ka prishur idilin e dikurshëm, por nga një organ i cili duhej të kujdesej që ky incizim të mbetej për nevojat e hetuesisë, gjegjësisht, për nevojat e gjykimit.
Publiku i gjerë spekuloi se si ka mundur ky incizim të arrijë në media për ta bërë turpin më të madh se sa vetë dhuna, a mos e dha princi Leka, apo Eli Zaharia ose babai i saj, “i dhunshëm”, ose kushedi kush me ndonjë kamerë të fshehtë së largu. Mirëpo, të gjitha këto supozime i hedh poshtë shefi i protokollit të oborrit mbretëror, Beniamin Bakalli, i cili për Top News, ka hedhur dyshime, që nuk janë pa bazë, në drejtim krejt tjetër: ”Për mua fajtor është prokuroria për publikimin e videos. Unë isha në Romë kur ndodhi dhe ne shqiptarët nga prokuroria apo SPAK-u e dimë dy javë para që do arrestohet Berisha. Nga e dimë këtë informacion? 100% fajtore është prokuroria. Video është dorëzuar me USB në zarf të mbyllur në polici. Nuk mendoj se e ka bërë policia, brenda 24 orëve e ka dorëzuar në prokurori dhe zarfi është hapur në prokurori dhe çdo gjë doli hapur. Kjo video është nxjerrë nga persona të tretë të cilët nuk e kanë menduar se kjo video do bëhej kaq virale, pra nuk i kanë menduar pasojat”.
Cilido përfaqësues nga organet e sipërpërmendura (qoftë prokuroria, qoftë nga policia…), është shprehje e papërgjegjësisë institucionale, sepse kanë bërë një shkelje të procedurave gjyqësore, ku USB-ja me incizimin e zënkës së ish-çiftit mbretëror, e dorëzuar në polici, për nevojat e hetimit, është dashur të shërbejë për qëllime hetimore. Diç e ngjashme pat ndodhur edhe me ato “bombat” e famshme të Zaevit, të cilat i qenë dorëzuar(të paktën kështu duhej të ishte) në Prokurorinë Speciale Publike, por kanaleve sekrete, ato arrinin në media ose rrjetet sociale, nga një dorë e padukshme. Sot e kësaj dite ka mbetur enigmë si mund të dilnin jashtë organit që ishte i autorizuar t’i përdorte!
Evropa po përgatitet për luftë! Kjo është teza por dhe psikoza që po përhapet. Logjika thotë se me arritjet e qëllimeve të veta në Ukrainë, Rusia nuk do të ndalet dhe do t’u sulet vendeve evropiane! Kështu flasin edhe shërbimet e shteteve perëndimore.
Kjo është krejtësisht një antilogjikë. Sepse, Rusia kaherë ka frikë se Perëndimi ndërhyn ushtarakisht në Ukrainë dhe tek atëherë nuk do të mund të dilte nga aventura që e ka nisur. Por e sigurt se Perëndimi nuk ndërhyn në Ukrainë, nuk ka logjikë që t’u sulet vendeve tjera, sepse nëse nuk mund t’i arrijë qëllimet e veta në Ukrainë për dy vjet, çka do të bënte me disa fronte përnjëherë nëpër Evropë?! Plus kësaj, me sulmet eventuale ndaj shteteve evropiane, ajo do ta bënte legjitime ndërhyrjen e NATO-s dhe tek atëherë ka për të parë çka është ferri!
Logjika që i fryn erës së barotit është teza se Rusia e bën një gjë të tillë, për shkak se ka koka bërthamore. Pra, në momentin që e sheh se nuk shkon mbarë agresioni, atëherë Putini ka sustat e tyre dhe e bën Evropën rrafsh me tokën! Se një gjë të tillë e mendon seriozisht apo seriozisht don ta trembë Perëndimin, e tha Putini: se armët nukleare janë për t’u përdorur nëse e do nevoja.
Ta zëmë se Rusia ka madje më shumë koka bërthamore se SHBA-të(aty-këtu janë). Por, edhe këtu logjika nuk shkon. Nëse Rusia do të sulmonte Evropën, ose dhe SHBA-të, pyetja është, çka do të bëhet me Rusinë? Në të njëjtën kohë, si shi do të binin “bërthamat” mbi Rusi, që të mbjellin tmerr e lemeri, dhe atë jo vetëm nga SHBA-të, por dhe nga Franca e Anglia, që nuk janë pa hiq. Si do të ishte rezultati i Putinit? Vallë do që duke shkatërruar botën, ta shkatërrojë Rusisë?!
Se mund të ndodhë pikërisht kjo, e tha edhe adhuruesi më i madh i Putinit, Alfred Cako: Perëndimi mund ta shkatërrojë Rusinë për 24 orë.
(Autori është kolumnist i gazetës KOHA)
