Kapitenja e përfaqësueses së Kosovës në futboll, Erëleta Memeti, është e kënaqur me grupin e fazës së parë kualifikuese për Euro 2025. Në shortin e tërhequr të martën në Nyon, Kosova ka rënë në grupin katër të Ligës B së bashku me Uellsin, Kroacinë dhe Ukrainën.
Sipas Memetit, synim duhet të jetë vendi i dytë në grup.
“Mendoj se grupi është i mirë. Në tri grupet tjera nga një përfaqësuese është shumë e fortë, Zvicra, Skocia e Portugalia. Uellsi dhe Kroacia kanë nivel, por mendoj se jemi në grupin më të mirë të mundshëm”, ka thënë Memeti për KOHËN.Sulmuesja e Bundesligës thotë se Kosova duhet t’i fitojë dy ndeshjet me Ukrainën. Në fakt Kosova ishte në vazon e katërt për short, që do të thotë se nuk llogaritet favorite.
“Ne nuk kemi luajtur me këto tri vende. Unë megjithatë e kam parë Uellsin duke luajtur e po ashtu Kroacinë. Duhet të fitojmë dy ndeshjet me Ukrainën, ndërsa me Kroacinë do të kemi dy ndeshje shumë të forta. Nuk do të jetë lehtë, por synim duhet të jetë pozita e dytë në grup. Janë rivalë dukshëm më të fortë se ata në Ligën C, megjithatë ne jemi zhvilluar mirë dhe jemi gati për sfida të tjera”, ka shtuar Memeti, që është lidere në përfaqësuese.
Tri vendet e para në grup sigurojnë avancimin në plejof, ku vendoset kualifikimi në Evropian. Vendi i fundit në grup dërgon në Ligën C.
