Redaktori i portalit Flaka, Driton Zenku, në lidhje për zgjedhjen e Bujart Osmanit si kandidat për president nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe për reagimin e opozitës ndaj kësaj zgjedhjeje, për politico.mk është shprehur se duke marrë parasysh kompetencat e presidentit, karriera e Bujar Osemanit është më se kompetente për këtë post. Ai theksoi se opozita shqiptare nuk e ka pritur aspak që BDI-ja do të garonte me një kandidat të vetin në garën presidenciale me narativin e zgjedhjeve të vitit 2020
“Bashkimi Demokratik për Integrim në dy dekada funksionim, ka krijuar kuadro me përvojë institucionale dhe profesionale. Bujar Osmani prej shumë vitesh është i inkuadruar në rrafshin diplomatik, njëherë si zëvendëskryeministër për euro-integrime dhe pastaj edhe si ministër i punëve të jashme. Këto dy pozicione Osmanit i kanë shërbyer për t’u inkuadruar por edhe etabluar në diplomacinë ndërkombëtare. Nisur nga kompetencat e presidentit të Maqedonisë së Veriut, karriera e Osmanit është kompetente për postin për të cilin garon. Ndër kompetencat e presidentit është edhe përfaqësimi i vendin në skenën politike ndërkombëtare. Mund të themi që kandidatura e Bujar Osmanit është kompetente për postin e synuar.”, thotë Driton Zenku për politiko.mk
Nëse bazohemi në zgjedhjet e vitit 2020 ku BDI-ja nuk nxori kandidat të vetin dhe përkrahu kandidatin konsensual, shton ai, mund të themi që opozita shqiptare ka ndarë vlerësimin që BDI tashmë ka krijuar një strategji për zgjedhjet presidenciale duke përkrahur kandidatin e Frontit Europian.
“Por në politikë strategjitë evoluojnë dhe ndërmerren në bazë të imperativit të kohës. BDI ka vlerësuar që duhet të garojë me kandidat për president dhe të shpalosë edhe strategjinë se si do të arrihet deri te ky qëllim, kur dihet që sistemi aktual zgjedhor pamundëson zgjedhjen e një kandidati shqiptar përmes votës elektorale. BDI shpalosi një kandidaturë por edhe një strategji për të zgjedhur president shqiptar përmes votës në Kuvend. Nisur nga ky fakt, mund të themi që opozita shqiptare nuk ka pritur që BDI të ketë kandidatin e vet dhe të zhvillojë garën me narrativin e zgjedhjeve të vitit 2020″, tha Zenku.
Zenku gjithashtu foli edhe për mënyrën e zhvillimit të garës presidenciale në bllokun politik shqiptar, ku tha se të dy kandidaturat vijnë me një bagazh institucional dhe profesional, ku sipas tij pritet të zhvillohet një betejë idesh, konceptesh dhe bindjesh të forta.
“Aty ku ka më tepër si dy kandidatë, zhvillohet ka garë dhe shoqërohet me fjalor intensiv elektoral. Kandidaturat shqiptare janë serioze. Bujar Osmani vjen me një bagazh institucional dhe profesional, sikurse kundërkandidati Arben Taravari. Dy kandidatët vijnë nga fusha e mjekësisë, kanë qenë ish ministra të shëndetësisë dhe karakteristikë e rastësishme është që të dy kandidatët kanë kryer rrite fetare – Umre në vendet e shenjta Islame. Njëri aktualisht është nënkryetar partie dhe ministër i punëve të jashtme dhe tjetri kryetar partie dhe kryetar komune. Dy figura partiake dhe institucionale. Kemi pasur përballje televizive mes dy kanidadatëve në cilësi tjetër dhe jemi dëshmitarë të debatit përmbajtësor. Kështu pritet të zhvillohet edhe gara presidenciale. Betejë idesh, konceptesh dhe bindjesh”, tha Zenku.
