Ministri i Financave, Fatmir Besimi, u takua sot me ambasadoren e SHBA-së, Angela Ageler. Diskutuan për zhvillimet politike dhe ekonomike aktuale në vend, si dhe për përpjekjet për reforma në financat publike dhe luftën kundër korrupsionit. Është e rëndësishme që Maqedonia e Veriut të vazhdojë rrugën drejt anëtarësimit në BE.
“Republika e Maqedonisë së Veriut gjendet në një fazë të rëndësishme ku duhet të tregojë pjekurinë për ta vazhduar rrugën drejt anëtarësimit të plotë në BE. Negociatat me BE-në kanë filluar dhe duhet të shfrytëzojmë çdo mundësi për ta kaluar atë rrugë sa më shpejtë, sepse përfitimet nga anëtarësimi në BE janë të shumta për shtetin, po ashtu edhe për qytetarët. Në realizimin e këtij qëllimi, përkrahje të konsiderueshme kemi nga partneri dhe përkrahësi ynë shumëvjeçar, SHBA-ja, sidomos përmes mbështetjes që ofrohet lidhur me reformat që po zbatojmë”, theksoi Besimi.
Besimi informoi se Qeveria dhe Ministria e Financave po punojnë me përkushtim për sigurimin e qëndrueshmërisë fiskale dhe rritjen afatgjatë. Gjithashtu, falënderoi SHBA-në për përkrahjen e Thesarit të SHBA-së në përmirësimin e menaxhimit të financave publike. Reforma e fundit në financat publike ishte miratimi i Ligjit të ri të Buxheteve.
“Punojmë në vazhdimësi në përforcimin e kapaciteteve tona me qëllim që ta përmirësojmë avancimin e menaxhimit të financave publike. Vitin e kaluar, për këtë qëllim miratuam edhe Ligjin e ri të Buxheteve, i cili paraqet reformën më të madhe në financat publike dhe rregulla që janë në përputhje me standardet evropiane”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Financave.
