Për shkak të numrit të lartë të nxënësve në fshatin Studeniçan, i cili çdo vjet shkon duke u rritur, duket se shkolla fillore “Naim Frashëri“ nuk i mbërthen të gjithë nxënësit. Prandaj, është parë e nevojshme hapja e klasave të reja në këtë objekt shkollorë.
“Organizata Humanitare duke u nisur nga parimi “Nëse investon në arsim, ke investuar në ardhmërinë tënde”, atëherë filluam ndërtimin e këtyre dy klasave. Më 28 nëntor vendosëm gurthemelin, tani e bëjmë përurimin e tyre.”, – deklaroi kryetari i Organizatës Humanitare “Kalliri i mirësisë”, Nexhati Lika.
“Nëse dëshironi ta zhvilloni një shoqëri, atëherë kujdesuni për edukimin e tyre. Edukimi do të thotë ndërtimi i kapacitetit të gjeneratave të reja. Ata janë shpresa e të ardhmes. Këto janë ardhmëria e këtij vendi, ardhmëria e Studeniçanit dhe e gjithë Maqedonisë së Veriut.”, – theksoi përfaqësuesi i “Islamik relief”, Muhamed Sulejman.
“Zoti na ka dhënë shumë fëmijë, kemi mungesë të hapësirave. Kjo na gëzon. Komuna e Studeniçanit është lider në Maqedoninë e Veriut për nga numri i natalitetit. Jemi falënderues ndaj Zotit dhe krenar për këtë gjë.”, – u shpreh kryetari i Studeniçanit, Azem Sadiki.
Drejtori i shkollës “Idriz Shabani”, u ndau mirënjohje drejtuesve të dy shoqatave dhe kryetarit të kësaj komune. Gjithashtu, ai tha se ky bashkëpunim i ndërsjellë shpreson të vazhdojë edhe në të ardhmen. Në shkollën fillore “Naim Frashëri” të fshatit Studeniçan, mësimin e ndjekin rreth 1.800 nxënës, të ndarë në 22 paralele. Sipas Shabanit, nevojiten rreth 50 klasa që procesin edukativo-arsimor të zhvillohet pa pengesa.