04/10/2024

-Sigurisht që me reagimin e BDI-së dhe sqarimet e hollësishme të Zëvendëskryeministrit të Parë, Grubit, nuk do t’i mbyllet goja VMRO-së, e cila është futur në shemën e mohimit, pasi nuk e ndjen veten mirë që nuk është ajo vetë realizuese e projektit. Ndoshta do të vazhdojë edhe më tutje ta kontestojë për faktin se në krye të tij është një shqiptar, sepse ende mendon se elektoratit të vet mund t’i shesë gogla për dushk, por, për shtetin dhe qytetarët, me rëndësi është që realizimi i këtij projekti të ecë mbarë dhe këtu duhet mbështetur optimizmin e Qeverisë

(Editorial i portalit indeks.mk)

Ka pasur një komunikim interesant “në distancë” midis VMRO-së dhe BDI-së. Së pari Hristijan Mickovski është shprehur se VMRO-DPMNE nuk është kundër ndërtimit të korridoreve sepse është edhe në programin e partisë së rij, porse është kundër mënyrës se si po zhvillohet ky projekt, veçanërisht të nënshkruhet një marrëveshje me të cilën parashihet që Maqedonia t’i paguajë gjoba të larta konsorciumit Bechtel dhe Enka, të vazhdohet java e punës nga 40 në 60 orë, kundër që ndërtimet pa leje të shpronësohen me të njëjtin çmim si ndërtimet e ligjshme, është kundër kriminalitetit që mendon se është e pranishme.

Një reflektim i sinqertë, do të thoshim, me “dilemat” opozitare si bisht prapa.

Ky qëndrim ka mjaftuar që të vijë përgjigja ekspres nga BDI me të cilën “e përshëndet” përkrahjen e Mickovskit. (Populli thotë, më mirë vonë se kurrë!). Dikush mund ta marrë në kontekst ironik, e dikush si të sinqertë këtë qëndrim, por është fakt se në reagimin e BDI-së ka dhe një dozë më të theksuar faktografie, në përpjekje për t’u dhënë përgjigje adekuate pikave të dyshimit nga partia rivale. Kështu, ia ka përkujtuar VMRO-së se nuk ka shkuar gjithçka lehtë, sepse procesi negociues deri në nënshkrimin e kontratës për ndërtimin e korridoreve ndërmjet Qeverisë dhe konzorciumit Bechtel & Enka po zgjat tashmë më shumë se dy vjet dhe në atë proces që ka qenë i hapur, kanë qenë të kyçur të gjithë. Me fjalë të tjera, nëse VMRO-ja ka pasur rezerva, ka mundur të marrë pjesë në përmirësimin e gjërave. Poashtu BDI-ja ia përkujton VMRO-së se Qeveria ka vepruar në bazë të autorizimeve që ka marrë nga Kuvendit. Poashtu se këto korridore në gjatësi prej 109 kilometrash duhet të ndërtohen për 57 muaj, që i bie të jetë një dinamikë katër herë më e shpejtë se mesatarja e ndërtimit në vendin tonë, përmes një modeli të ri që e përdorin kompanitë më të mëdha dhe më me përvojë në botë.

Po, dhe kjo është porosia: se nuk i është dhënë në dorë kjo përgjegjësi cilësdoqoftë kompani, por një kompanie me renome ndërkombëtare, së cilës nuk ke si t’i gjesh behane. Prandaj dhe obstruksionet që mund t’i bëhen gjithë procesit, sipas BDI-së, është një politikë e pakuptueshme ditore e bllokadave në Kuvend, që nuk mund ta ndalin ndërtimin, por vetëm mund ta vonojnë. Përveç vetë BDI-së, VMRO-së dhe dyshuesve tjerë, përgjigjen më adekuate dhe më të plotë, përplot informacione të detajura dhe të dhëna konkrete, e dha dje zëvendëskryeminsitri i parë, Artan Grubi me strukturat e Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut. Ai duke dhënë kronologjinë e gjithë procesit, u përpoq, siç u shpreh, “të pastrojë mjegullat” për “investimin më të madh në historinë e shtetit”, pasi gjatë gjithë kësaj periudhe është folur me shumë optimizëm e entuziazëm, por nga ana tjetër, dhe me tendencë të paparë për të penguar fillimin e realizimit të këtij projekti dhe për ta denigruar me çdo kusht. Për të mos e përfolur gjithë ekspozeun e Zëvendëskryeministrit të Parë, vetëm të përkujtojmë disa pika kyç. Ai përkujto se vlera e këtij projekti është 1.3 miliardë euro, prej të cilave më shumë se gjysmën e përfitimit do ta kenë kompanitë vendase ose, mbi 600 milionë euro të mbeten në vend. Pra, përveç shtetit që përfiton nga gjithë projekti me rëndësinë kaptiale që ka, përfitojnë edhe kompanitë e vendit me kyçjen e tyre në procesin e ndërtimit. Nga ana tjetër, përgjigje adekuate Artan Grubi, i cili është në krye të këtij projekti ambicioz(mbase VMRO-së dhe qarqeve tjera pikërisht ky fakt mund të jetë “problematik”!) sqaroi se ka konfidencialitet në kontratë, por nuk është sekret absolut shtetëror. Ato informacione konfidenciale kanë të bëjnë me teknologjinë e punës së palës kontraktuese, në mënyrën e llogaritjeve të tyre, janë klauzola që çdo kompani botërore të këtij rangu të lartë i përdor, për të mbrojtur projektin e saj nga konkurrenca, nuk është krim dhe korrupsion. Kontrata të tilla ka edhe në Zonat e Zhvillimit Teknologjiko-Industrial me kompani që kuotojnë në bursë dhe të tilla janë kontratat me BERZH. Grubi përkujtoi se kjo nuk është Kontratë e parë e tillë në vendin tonë dhe ne duhet të respektojmë sekretet e biznesit të kompanive, por kjo në asnjë mënyrë nuk do të thotë se Qeveria po fsheh diçka që është me interes publik, diçka që do të kishte efekte negative për qytetarët.

Edhe një përgjigje VMRO-së nga Grubi: NUK KA PENALITETE , AS NË KONTRATËN NUK FIGURON PENALITETE. SHTETI KA OPSIONIN T’I NDËRTOJË AUTOSTRADAT BRENDA AFATIT KOHOR QË QEVERIA E VENDOSI NË AFAT PREJ 57 MUAJ, OSE TË PRANOJË QË TË NDËRTOJNË PËR DISA VITE TË TJERA.
Grubi sqaron edhe konfuzionin e radhës rreth ndryshimeve ligjore. “Në këtë drejtim, duhet të sqarojmë se ndryshimi i zgjidhjeve ligjore nënkupton rregullimin e ligjeve ekzistuese që do të sigurojë realizim më të shpejtë dhe më të mirë të projekteve strategjike siç është ky. Nuk ka asgjë të diskutueshme apo të nxituar, këto zgjidhje janë të shumëpritura dhe do të na sigurojnë veprim më të thjeshtë në të ardhmen, duke mbajtur gjithmonë parasysh interesat e shtetit. Ky nuk është një proces i panjohur, ne kemi ndryshuar edhe rregulloret dhe zgjidhjen ligjore që mundësuam instalimin më të lehtë të fotovoltaikëve.

Sa i përket ndryshimeve në Ligjin për Marrëdhëniet e Punës, tha Grubi, ato nuk nënkuptojnë shfrytëzim të punëtorëve dhe shkelje të të drejtave të tyre të garantuara me ligj. “Nuk do të lejojmë që asnjë punëtor të shfrytëzohet, asnjë punëtor nuk do t’i shkelen të drejtat e punës, sepse ligjet ekzistojnë për të mbrojtur qytetarët.”

Sa i përket korrupsionit, Grubi e tha në mënyrë decide: “Nuk njoh asnjë politikan në botë që do t’i lejonte vetes të angazhohej në veprime korruptive me kompani si Bechtel dhe Enka ose me SHBA. Jemi të përkushtuar që ky të jetë projekti më i pastër, më dinjitoz në vend, dhe me përgjegjësinë më të madhe pohoj se opozita është vetëm për politikë ditore dhe për kalkulime partiake dhe nuk ka motiv tjetër.”
Grubi poentoi me një fakt që ndoshta më së shumti i dhemb VMRO-së kur dikush arrin suksesin që s’e bën vetë: “U hodhën një miliardë në stiropor dhe përmendore. Ne me një miliardë po ndërtojmë autostrada me kompani amerikane. Ka dallim , në të vërtet ka dallim.”

Sigurisht që me këto sqarime nuk do t’i mbyllet goja VMRO-së, e cila është futur në shemën e mohimit, pasi nuk e ndjen veten mirë që nuk është ajo vetë realizuese e projektit. Ndoshta do të vazhdojë edhe më tutje ta kontestojë për faktin se në krye të tij është një shqiptar, sepse ende mendon se elektoratit të vet mund t’i gogla për dushk, por, për shtetin dhe qytetarët, me rëndësi është që realizimi i këtij projekti të ecë mbarë.