17/07/2024

Nuk qëllojnë nëse nuk njohin fytyrën e përdoruesit

Kjo lloj pistolete, që qëllon vetëm nëse njeh fytyrën e qitësit ka nisur të shitet në Shtetet e Bashkuara. Firma “Biofire Tech” me qendër në Kolorado, ka nisur të marrë porositë e para. Pistoleta është pjesë e gjeneratës së re të të ashtuquajturave “Smart Gun”, armë të zgjuara.

Krijuesi i saj dhe drejtori ekzekutiv i kompanisë Kai Kloepfer thotë se kjo pistoletë 9 milimetërshe ka një sensor që bën njohjen e fytyrës së përdoruesit, por po ashtu është e pajisur edhe me një sensor tek këmbëza, përmes të cilit bëhet njohja e shenjave të gishtave. Aktivizohet vetëm kur ndizet drita e gjelbër. Nëse arma nuk e njeh të zotin, nuk shkrepet.

Hakerat e kanë të pamundur të manipulojnë të dhënat. Armët e këtij lloji nuk kanë asnjë hapësirë për t’u lidhur me internet e as me GPS. Kloepfer thotë se ideja i lindi nga sulmi me armë në një kinema në qytezën Aurora në 2012-ën ku u vranë disa të rinj. Shpikja e tij synon të reduktojë ndjeshëm numrin e sulmeve të tilla me armë dhe vetëvrasjet, që në përgjithësi kryen nga persona që nuk kanë leje për përdorimin e armëve.

Tv Klan