07/10/2024

– Ai që e ka mizën nën kapuç, që është pjekë e stërpjekë në projekte korruptive, që është bërë imazhi i saj, kujton se edhe të tjerët e bëjnë të njëjtën gjë! Duke harruar se kjo temë mund të hapet gjithnjë kur të konstatohen shkelje eventuale, e jo duke hedhur dyshimin, për ta minuar projektin ende pa filluar!

Shkruan: indeks.mk

Shpesh bëjmë krahasime të bëmave të pushteteve për të treguar se njëri e bën të njëjtën siç e kanë bërë ato më parë. Në shikim të parë dhe në parim, duket sikur është ashtu. Sepse, pushtetet që ndërrohen, vuajnë nga mungesë idesh dhe të shpeshtën s’shkojnë më larg se ata që kanë qenë më herët, duke imituar njëra tjetrën.
Por, nuk është gjithnjë kështu. Nëse marrin zhvillimet më të fundit te ne, ku çohet pluhuri në bazë të një dyshimi që hedh opozita për një projekt, qasja ndryshon. Pse? Sepse projekti (ndërtimi i Korridorit 8 dhe atij 10D) është padyshim një projekt me interes nacional, nuk është projekt politik por infrastrukturor, ai nuk i sjell leverdi një pushteti, por një shoqërie dhe një vendi të tërë dhe ta minosh atë që në fillim, është të punosh drejtpërdrejtë kundër interesit të përgjithshëm. Këtë mbase duhet ta dinë ata që e kundërshtojnë.
“Kashta” e shpëtimit të fytyrës në të cilën kapet opozita për të arsyetuar qëndrimin apriori kundër, është te sajimi i dyshimit se prapa kontratës me konzorciumin Bachtel Enka qëndron projekt korruptiv. Pastaj shkohet tutje për të gjetur qime në ve te kushtet që me ligj u siguron punëtorëve favore, ose se traseja nga do të kalojë rruga ka lokalitete arkeologjike. Kjo e fundit veçmas është për t’u theksuar si indikative, sepse patjetër të pyetemi si nuk u gjetën deri tash këso lokalitetesh në rrugët që i ndërtoi pushteti i kaluar, por mbinë tash si këpurdhat pas shiut me këtë pushtet!?

Dallime ka, sepse ai që e ka mizën nën kapuç, që është pjekë e stërpjekë në projekte korruptive, që është bërë imazhi i saj(le të kujtojmë vetëm atë bisedë “ilustrative”midis ish-kryeministrit në ekzil dhe ish-ministrit të tij që flisnin për provizione: “Mile, mos është shumë 5 për qind?!), kujton se edhe të tjerët e bëjnë të njëjtën gjë! Duke harruar se kjo temë mund të hapet gjithnjë kur të konstatohen shkelje eventuale, e jo duke hedhur dyshimin, ta minojë ende pa filluar!

Ka dhe një dimension tjetër, që është ai etnik, e për çka VMRO-DPMNE-ja është e njohur për t’i krijuar, por që pas rreshtohen edhe parti të tjera profitere, dyshimi më i madh mbase është konceptimi i tyre se në krye të një projekti të tillë nuk mund të jetë një shqiptar, në rastin konkret zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi. Krejt ok, ama në shqiptar në krye të një projekti kaq ambicioz, assesi! Por ata e mbështjellin me “oblandë”, kinse nuk s’është çështja aty po pse pas kësaj qëndron korrupsioni.
Përgjigjen më të mirë këtyre dyshuesve kronikë ua dha qeveria, duke e çuar Marrëveshjen me Bachtel Enkën në Prokurori, që nëse ka diçka të dyshimtë, të merret ajo, e jo të jetë në licitim publik që gjithkush të flasë çka të dojë. Vetë kryeminsitri Kovaçevski për publikun ka sqaruar se marrëveshja ka mbi 400 faqe, ku janë definuar të gjitha obligimet si të vendit, ashtu dhe të bartësit të ndërtimeve dhe se “fshehtësia” e saj konsiston me teknikat e realizimit dhe për shkak të konkurrencës, ato janë të tilla.

Kjo është njëra anë e medaljes. Ana tjetër, është e vërteta që e kanë thënë zyrtarë të lartë të vendit, që te VMRO-ja ka një shpërputhje midis fjalëve dhe veprimeve të saj. Kryeministri Kovaçevski rikujtoi vetëm një detaj nga e kaluara e VMRO-së, kundërshtimin për hyrje në NATO, që për Maqedoninë është interes jetik. Kësaj mund t’i shtojmë edhe obstruksionet e kësaj partie implementimit të Marrëveshjes së Ohrit, që nga votimi i ndryshimeve kushtetuese, e gjer zbatimi praktik. Edhe kjo marrëveshje ishte interes jetik i vendit, sepse mbylli shumë çështje të hapura dhe siguroi harmoni ndëretnike. Dhe kur jemi te kjo marrëveshje, VMRO dhe Mickoski edhe tash nuk e lënë pa e prekur, dhe parapëlqejnë kthime prapa, duke kërkuar madje revidimin e saj në disa pika që janë bazë e barazisë etnike!
Kështu nuk bëhet politikë në interes të shoqërisë.