Pjesa II/ Kasami hap “qesen” dhe shpërblen edhe me rrogë mujore mikun “tenderash”

Skandali financiar për të cilin shkroi mbrëmë portali informativ indeks.mk nuk mbaron aty.

Përveç 4 milionë denarëve të transferuara në xhiro-llogarinë e “I-Point Marketing”, për materiale të shtypura dhe promotive, kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami kujdeset që pronari i kësaj kompanie të marrë edhe rrogë mujore nga Komuna e Tetovës.

Indeks.mk ka zbuluar edhe listën ku shihet se Mensur Aliti, i cili në dokumente paraqitet si pronar, është i kontratuar dhe i punësuar nga Komuna e Tetovës.

Sipas dokumentit, Aliti nga Komuna e Tetovës në muaj merr nga 22 mijë denarë.

Burime të sigurta të indeks.mk-së konfirmojnë se Aliti është i punësuar si “ekspert” i furnizimeve publike në kabinetin e kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

Aliti në opinion njihet si person i afërt i Sekretarit të Lëvizjes Besa, Adnan Azizi dhe në të kaluarën kur Lëvizja Besa ka qenë në pushtet, ai ka qenë i angazhuar në kabinetin e zv.ministrit të Kulturës, Sedat Sulejmani.

Ndryshe, dje indeks.mk raportoi se Mensur Aliti me kompaninë e tij, “I-Point Marketing”, me nënshkrim të Bilall Kasamit ka “marrë” dy kontrata vlera e të cilave pa TVSH, kalon shumën prej 4.1 milion denarëve për materiale të shtypura e promotive të cilat obligohet sipas nevojës t’i dorzojë komunës.

Por Aliti nuk është “militanti” i vetëm i punësuar në Komunën e Tetovës, nga ky institucion marrin rrogë edhe disa “militantë” të tjerë për të cilët indeks.mk do të raportojë në vazhdim./indeks.mk/

Share post: