Ndryshimet kushtetuese, Besa dhe Bilall Kasami midis Brukselit dhe Moskës?!

Edhe pse në gjithë spektrin politik shqiptar nuk ka dilema rreth ndryshimeve kushtetuese për futjen e komunitetit bullgar në Preambulën e Kushtetutës, Lëvizja BESA e Billall Kasamit thotë se nuk do ti votojë ato, nëse me këto ndryshime nuk hiqet edhe referenca e “20 %” si kategori kushtetuese për Gjuhën shqipe, shkruan Indeks.mk

Deputeti i Lëvizjes BESA, Fadil Zendeli është zotuar publikisht se nuk do t’i votojë ndryshimet kushtetuese pa “20 %”. Me këtë partia e Bilall Kasamit rreshtohet në frontin-anti evropian të udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe Levica, të cilët pengojnë miratimin e ndryshimeve kushtetuese, si dhe ecurinë e Maqedonisë së Veriut pa pengesa drejt Bashkimit Evropian.

“Ju jeni duke kontribuuar në rritjen e euroskepticizmit bashkë me VMRO-në dhe Levicën… Unë e kuptoj veprimin opozitar, por nuk e kuptoj veprimin opozitar ku duke qënë në opozitë të bashkohesh me VMRO-në, të kesh qëndrime të njëjta me të majtën. Levica nuk e voton Korridorin 8, VMRO-ja nuk e voton Korridorin 8 edhe Lëvizja Besa nuk e voton. Dhe në fund rezulton me këtë se nuk do të votojnë ndryshimet kushtetuese”, ka deklaruar deputetja e BDI-së, Arta Bilalli Zendeli për TV Klan, përcjell Indeks.mk

Edhe nga Aleanca për Shqiptarët (ASH) kushtëzimet e Lëvizjes Besa i cilësojnë si të paarsyeshme dhe me motive të përfitimit politik.

“Format e kushtëzimeve për pikë politike, besoni janë të dhimbshme për shkak se u japin hapësirë të tjerëve, konkretisht VMRO-së, të cilët kanë dilema”, ka deklaruar Anan Neziri – deputet i ASH-së.

Kushti që ka marrë Republika e Maqedonisë së Veriut pas fillimit të negociatave me BE-në – amendamentet kushtetuese që kërkojnë një shumicë prej dy të tretash – lejon propagandën ruse të mobilizohet sërish dhe të përhapë dezinformata dhe teori konspirative në Maqedoninë e Veriut, thuhet në analizën e Institutit për Media dhe Analitikë (IMA) të publikuar në janar të këtij viti.

“Pothuajse të njëjtat rrjete propagandistike, kanale komunikimi dhe narrativa dezinformuese për rrezikimin e identitetit, gjuhës dhe popullit maqedonas, të cilat u përdorën në vitin 2018 gjatë Marrëveshjes së Prespës dhe referendumit, janë aktive në vitin 2022 dhe 2023. Qëllimi i ndikimit të propagandës ruse në Maqedoni nuk është vetëm mbjellja e konfuzionit, por parandalimi i vazhdimit të negociatave me BE-në, minimi i mëtejshëm i besimit në BE, NATO, Perëndim dhe institucionet demokratike, si dhe forcimi i ndikimit rus në Maqedoninë e Veriut”, shkruan në analizën e IMA.(Indeks.mk)

Share post: